Presidenti Topi priti sot Komisionerin e BE-së për
Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle, në kuadër të
vizitës që Komisioneri po zhvillon në Serbi, Malin e Zi,
Bosnje-Hercegovinë, Shqipëri dhe Kosovë.
Në këtë takim, Presidenti Topi vuri në dukje faktin se procesi i
integrimit evropian gëzon një mbështetje të gjerë në gjithë shoqërinë
shqiptare dhe se ai ka qenë dhe vazhdon të jetë një shtysë e fortë për
transformimin e vendit nëpërmjet kryerjes së reformave të guximshme dhe
zbatimit me sukses të tyre. Me këtë rast, Presidenti i Republikës bëri
një panoramë të disa prej këtyre reformave, duke u ndalur kryesisht tek
ajo për reformimin e sistemit të drejtësisë. Kryetari i Shtetit
nënvizoi faktin se “shqiptarët janë të vetëdijshëm për përballimin e
sfidave integruese në Bashkimin Evropian dhe konfirmoi se në kuadër të
paraqitjes së kandidaturës sonë për statusin e vendit kandidat, ne jemi
të angazhuar maksimalisht për përfundimin e dorëzimin në kohë të
pyetësorit të BE-së, duke shpresuar gjithashtu në përshpejtimin e
liberalizimit të vizave, një proces me rëndësi të veçantë ky për
qytetarët shqiptarë.”
Në vijim të takimit biseda u përqendrua dhe në situatën aktuale
politike në vend. Presidenti Topi vlerësoi pozitivisht rivendosjen e
dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës dhe shprehu
“besimin se me vullnetin politik të palëve dhe angazhimin serioz të
tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë
institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të
qytetarëve shqiptarë.” Në këtë kontekst, Presidenti Topi trajtoi dhe
zhvillimin e tryezës politike mes drejtuesve të mazhorancës dhe të
opozitës në Presidencë, që prodhoi edhe rihyrjen e opozitës në
Parlament.
Nga ana e tij, z. Fyle shprehu mirënjohjen dhe interesin e veçantë për
këtë takim me Presidentin Topi dhe vlerësoi rolin e tij për rivendosjen
e dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës në vend.
Komisioneri Fyle theksoi se sa më me saktësi dhe sinqeritet t’u
përgjigjen autoritetet shqiptare pyetësorit, aq më e qartë dhe
objektive do të jetë panorama mbi bazën e së cilës Bashkimi Evropian do
të vlerësojë plotësimin e standardave integruese të Shqipërisë, sidomos
për çështje që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe
korrupsionit, lirive thelbësore, shtetit të së drejtës dhe forcimit të
demokracisë.
Duke diskutuar për situatën politike Komisioneri Fyle vuri në dukje
rëndësinë e elementeve që përmbahen edhe në Deklaratën e përgatitur dhe
bërë publike nga Komisioni para fillimit të vizitës në Tiranë, duke
theksuar se nëqoftë se ngërçi politik dhe situata aktuale vazhdojnë dhe
mbetet e pazgjidhur, kjo do të ngadalësojë procesin e mëtejshëm të
integrimit. “Bojkotet nuk kanë vend në demokracinë evropiane.” – u
shpreh Komisioneri Fyle, duke vënë në dukje se përgjegjësia do t’u
mbetet udhëheqësve politikë nëse nuk do të arrijnë të gjejnë një
zgjidhje.
Të dy personalitetet e larta ndanë të njëjtin mendim përsa realitetit
më të qetë dhe qëndrueshmërisë në Ballkan dhe rëndësisë së
bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes vendeve të rajonit, pa përjashtim,
me synim integrimin e plotë në gjirin e familjes evropiane.
Presidenti Topi e uroi zotin Fyle “për detyrën e tij të re, sa fisnike
aq edhe të vështirë” duke i shprehur mirënjohjen për kontributin e
veçantë dhe rolin e tij të rëndësishëm në kuadrin e integrimit të
Shqipërisë në NATO, duke shprehur bindjen dhe optimizmin se Shqipëria
do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësim
sa më të shpejtë edhe zyrtarisht në Bashkimin Evropian.
Presidenca