Qėndrimi i Grupit Parlamentar Socialist pas seancės plenare tė datės 19 mars 2010

Qėndrimi i Grupit Parlamentar Socialist pas seancės plenare tė datės 19 mars 2010

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste shpreh indinjatën më të thellë për dhunën tradicionale të ushtruar përsëri nga pushteti në seancën e fundit të Kuvendit. Nga kjo seancë maratonë, qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë prisnin me të drejtë dhënien e konsensusit të mazhorancës ndaj kërkesës së vazhdueshme të opozitës për transparencë të plotë dhe hetim shterues të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Opozita i ofroi qeverisë dhe klasës politike në tërësi, mundësinë historike për të mbyllur përfundimisht kapitullin e zgjedhjeve të manipuluara nga dhuna dhe korrupsioni i pushtetit. Por fatkeqësisht, seanca kuvendore e inicuar nga opozita për një qëllim të madh kombëtar si clirimi i zgjedhjeve nga korrupsioni përmes transparencës, u shndërrua në dëshminë më të qartë të kapjes së parlamentit nga fenomeni i Ruzhdies. Njësoj si në Ruzhdie, me metoda haptazi ilegjitime, në kundështim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, u vodh edhe nisma e opozitës, u vodhën firmat e deputetëve të saj dhe u shtrembërua plotësisht vullneti ynë.
Dëshirojmë të ritheksojmë se  një grup deputetësh të Partisë Socialiste kishin propozuar dy inisiativa ligjore, njëra në formën e një projekt-ligji, dhe tjetra një projekt-vendim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Projektet ishin  në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren dhe praktikën e Kuvendit të Shqipërisë. Këto projekte i hapnin udhë hetimit të plotë të zgjedhjeve,  duke i dhënë njëkohësisht fund krizës së Kuvendit si shprehje e një krize shumë më të thellë të demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë.
Përpjekjes sonë institucionale për zgjidhjen e krizës, qeveria, pa  asnjë argument juridik dhe duke deformuar rëndë Kushtetutën e vetë orientimet e Komisionit të Venecias, i’u përgjigj duke penguar me cdo kusht hetimin e plotë  të zgjedhjeve, duke  kufizuar dhunshëm mundësitë e hetimit të komisionit hetimor dhe përjashtuar mundësinë e hapjes së kutive zgjedhore, megjithëse një komision i ngjashëm  parlamentar i kishte hapur ato 4 vite më parë.
Gjatë punimeve të kuvendit, nga ana e përfaqësuesve socialistë u argumentua ligjshmëria dhe nevoja e hetimit të zgjedhjeve si një domosdoshmëri historike, por argumentat tona u përplasën në murin e një pushteti që diskutonte për cdo gjë, por vetëm për transparencë jo. Argumentave  dhe apelit të grupit parlamentar socialist, pushteti i dyshes Topalli-Berisha iu përgjigj në sallën e Kuvendit me shantazhe dhe dhunë verbale, jashtë cdo norme  dhe etike parlamentare.
Duke parë këtë klimë aspak bashkëpunuese për zgjidhjen e krizës, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste nëpërmjet kryetarit të saj, paraqiti kërkesën si me shkrim edhe me deklarim në seancë, për heqjen dorë nga të dy nismat e opozitës përpara votimit të tyre në parim në seancë plenare, sic e përcakton  neni 72 i  Rregullores së Kuvendit.
E drejta e heqjes dorë nga inisiativa e propozuar është një e drejtë e patjetërsueshme, e garantuar dhe e pavarur nga vullneti i mazhorancës.  Spikerja e Kuvendit e pranoi tërheqjen tonë nga inisiativa ligjore, por me një nisëm personale të paligjshme dhe të shprehur pa asnjë sens etik, e hodhi në votim inisiativën për ngritjen e komisionit hetimor duke ngritur praktikisht një komision që ligjërisht është inekzistent.
Ky akt flagrant i dhunimit të rregullores dhe të drejtave të të opozitës edhe në sallën e Kuvendit, tregon qartë se jeta demokratike në Shqipëri është thellësisht e rrezikuar deri në instancën e vet më të lartë përfaqësuese sic është parlamenti. Tirania e kartonave demostron qartë se ky pushtet nuk e dëshiron opozitën në kuvend, por përkundrazi parapëlqen një farsë parlamentare të diktuar nga vullneti i shumicës së dalë prej korruptimit të zgjedhjeve në Ruzhdiet anembanë Shqipërisë.
Seanca e fundit plenare dëshmoi qartë se dhuna verbale, fizike dhe ajo e kartonave është lajtmotivi i vetëm i pluralizmit parlamentar që ofron pushteti i grabitur i 28 qershorit, që është kthyer në një kërcënim të lirive e të drejtave në vend.
Të ndërgjegjshëm se qëndrimi i pushtetit, në mënyrë të dukshme dhe të qëllimshme, ishte kundër pritshmërisë së qytetarëve shqiptarë dhe faktorit ndërkombëtarë për gjetjen e konsensusit dhe zgjidhjen e krizës;
Të ndërgjegjshëm se veprimet e pushtetit, që u materializuan me vjedhjen dhe tjetërsimin e nismës së opozitës për hetimin e zgjedhjeve, njësoj si në Ruzhdie, nuk kanë për qëllim transparencën e plotë dhe hetimin shterues të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në të ardhmen:
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste deklaron se i ashtuquajturi Komision Hetimor i ngritur nga pushteti, jo vetëm deformon në mënyrë thelbësore demokracinë parlamentare dhe shtetin ligjor si parime themelore kushtetuese, por ngjan si dy pika uji me komisionin e votimit në Ruzhdie. Nga një komision i tillë s’mund të presësh asgjë më të mirë sesa c’doli nga komisioni i Ruzhdies, një veprimtari e paligjshme me synim nëpërkëmbjen e vullnetit opozitar dhe deformimin e plotë të së vërtetës.
Por miratimi i këtij të ashtuaquajturi Komision Hetimor në mënyrë të njëanshme, hodhi në kosh edhe shansin që ne i dhamë parlamentit për zgjidhjen e krizës politike në frymën e mirëkuptimit të bazuar në Kushtetutën e vendit po edhe në sugjerimet e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Grupi Parlamentar Socialist i bën apel pikërisht miqve e partnerëve ndërkombëtarë për të marrë në konsideratë faktin shumë shqetësues se zgjidhja që u dha prej pushtetit të premten në darkë jo vetëm nuk e zgjidh po e thellon krizën, por edhe bie ndesh thelbësisht me përpjekjen e tyre për një zgjidhje kompromisi bazuar mbi Kushtetutën dhe transparencën. Me Kushtetutën e shkelur dhe transparencën e kufizuar me tiraninë e kartonave, mesazhi i pushtetit është shumë i qartë, po edhe qëndrimi ynë është po kaq i qartë: Asnjë hap mbrapa në përpjekjen për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme dhe demokracinë në Shqipëri nga korrupsioni që fillon tek kutitë e votimit dhe shtrihet në të gjitha degët e qeverisjes.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të mbrojë kauzën e popullit opozitar për transparencë duke qenë bashkë me popullin në përpjekjen për lirinë e votës dhe të drejtën e transparencës


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek