Një formë e re terapie me rrezatimit shton gjasat për një jetë më të
gjatë për ata që luftojnë me kancerin e mushkërive.
Mjekët kanë
eksperimentuar një trajtim jo-kirurgjik të këtij kanceri. Gjatë
procedurës, tumori goditet me një numër shumë të vogël dhe shumë të
përqëndruar rrezesh të fuqishme; çdo tumor goditet 1 deri në 5 herë.
Shkalla e suksesit ofron shpresa për pacientët që kanë qeliza jo të
vogla të pa-operueshme kanceroze në mushkëritë e tyre.
Gjatë
studimit, 55 pacientë u trajtuan me procedurën e re me rreze. Prej tyre,
vetëm 1 pacient pati një përsëritje të tumorit kryesor. Kjo tregon se
në afro 98 përqind të rasteve tumori kryesor u vu nën kontroll për
rreth tre vjet pas terapisë. Pas tre vjetësh, më shumë se gjysma e
pacientëve në studim, 56 përqind, vazhdonin të jetonin. Gjithashtu,
efektet anësore me këtë terapi të re ishin më të pakta sesa në trajtimet
me terapi të tjera.
Kanceri jo-melanoma
Marsi është
muaji i parë i pranverës dhe rrethet mjekësore e përdorin këtë për
rizgjimin e vetëdijes publike rreth kancerit lëkurës që shkaktohet nga
qëndrimi i gjatë nën rrezet ultra vjollcë të diellit.
Dy studime
të reja tregojnë se kanceri i lëkurës i llojit jo-melanoma prek
individë më shumë se të gjitha kanceret e tjera së bashku. Përhapje në
përmasave të tilla ndonjëherë quhet epidemi.
Kanceri i lëkurës i
llojit jo-melanoma mund të jetë më pak agresiv sesa kanceri i llojit
melanoma, por është shumë më i përhapur dhe përgjegjës për sëmundje të
rënda, kosto të lartë trajtimi, dhe vdekje.
Në të kaluarën,
kanceri i lëkurës i llojit jo-melanomas nuk regjistrohej si kancer në
regjistrat e statistikave mjekësore. Shkencëtarët rishikuan të dhënat e
50 vjetëve të fundit dhe arritën në përfundimin se në vitin 2007,
13-milion amerikanë të racës së bardhë, kishin të paktën nga një kancer i
llojit jo-melanoma.
Studimi gjithashtu tregoi se mes 70
vjeçarëve, një në pesë individë kishte pasur kancer jo-melanoma në
lëkurë, dhe shumë prej tyre më shumë se një herë.
Numri i
përgjithshëm i procedurave për trajtimin e kancerit të lëkurës mes të
moshuarve mbi 65 vjeç është gjithashtu në rritje; nga rreth 1.6 milionë
procedura në vitin 1992 në rreth 2 milionë procedura në vitin 2006.
Sipas
një studimi, fushatat për edukimin e publikut për mbrojtjen nga dielli
gjatë periudhës së verës, kanë qenë zhgënjyese përsa i përket
ngadalësimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje. Prandaj studimi
rekomandon kryerjen e më shumë kërkimeve në fushën e trajtimit dhe
parandalimit të kancerit të lëkurës jo-melanoma.
Kimoterapia, si
mënyrë trajtimi edhe për të moshuarit me kancer në zorrën e trashë
Organizata
Botërore e Shëndetësisë e rendit kancerin e zorrës së trashë mes
sëmundjeve më vdekjeprurëse. Në vitin 2004, rreth 639-mijë njerëz në
mbarë botë vdiqën nga kanceri i zorrës së trashë. Në qoftë se
diagnostikohet në kohë, ky lloj kanceri mund të trajtohet efektshëm me
kirurgji dhe kimioterapi. Por një studim i kohëve të fundit, botuar në
revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, tregon se pacientëve të
moshuar me kancer jo gjithmonë u ofrohet një tjetër mundësi trajtimi që
mund të zgjasë jetën e tyre.
Marty Petcoff është operuar nga
kanceri në zorrën e trashë që kishte arritur në fazën e tretë. Kanceri
quhet i fazës së tretë kur përhapet përtej shtresave të mesme të zorrës
së trashë dhe ka shumë të ngjarë t'i jetë afruar nyjeve limfatike.
Marty
është optimist se trajtimi me kimioterapi pas operimit, do të jetë i
suksesshëm.
Petcoffi dhe pacientë të tjerë të moshuar jo
gjithmonë i nënshtrohen kimioterapisë. Për asrye të moshës, mjekët
zakonisht nuk e rekomandojnë.
Shkencëtarët kryen një studim mes
675 pacientë të diagnostikuar me kancerin e zorrës së trashë në fazën e
tretë. Të gjithë ata ishin trajtuar me operacion.
Mes 202
pacientëve mbi moshën 75 vjeç, vetëm gjysma (101) u pranuan të
trajtoheshin edhe me kimioterapi, një mundësi që iu dha 87 për qind të
pacientëve më të rinj në moshë, pjesmarrës në studim.
Dr.
Katherine Kahn dhe grupi i shkencëtarëve të korporatës Rand që kryen
këtë studim, arritën në përfundimin se pacientët e moshuar që morrën
trajtimin shtesë me kimoterapi e përballuan atë njësoj si pacientët më
të rinj në moshë.
Por gjatë terapisë u bënë disa dallime;
pacientëve të moshuar iu dha kimoterapi me doza më të vogla dhe për një
periudhë kohe më të shkurtër sesa pacientëve më të rinj në moshë. Por
tek pacientët e moshuar u vunë re më pak efekte anësore nga barnat
kimoterapike sesa tek pacientë të rinj.
Një anketë mes mjekëve në
vitin 2008, kishte arritur në përfundimin se efektet e mundëshme
anësore përbëjnë një arsye që mjekët nuk rekomandojnë trajtim shtesë me
kimoterapi për pacientët e moshuar që ishin operuar nga kanceri në
zorrën e trashë.
Doktoresha Kahn thotë se dhënat e studimit të
fundit tani tregojnë se më shumë vëmendje duhet t'i kushtohet aftësisë
fizike të pacientit për të përballuar kimoterapinë. Mjekët, thotë ajo,
nuk duhet të bazohen automatikisht tek mosha e pacientit për të
rekomanduar ose jo trajtimin me kimoterapi.
voa