Bruksel,Konference per asgjesimin e municioneve shqiptare

Bruksel,Konference per asgjesimin e municioneve shqiptare

Qeveria shqiptare në kuadër të përpjekjeve për përshpejtimin e procesit të demontimit të municioneve të tepërta në Shqipëri, në bashkëpunim me qeverinë e SHBA-së, thirri një konferencë me donatorët, e cila i zhvilloi sot punimet në qendrën e NATO-s, në Bruksel.
Bashkëdrejtues të konferencës ishin ambasadori ynë në NATO z. Artur Kuko dhe ambasadori i SHBA-së në NATO. Në konferencë morën pjesë ambasadorët e vendeve antëtare të NATO-s. Qëllimi i saj ishte sigurimi i fondeve të nevojshme për realizimin e projektit të NAMSA-s (strukturë e NATO-s), për demontimin e municioneve të tepërta në Shqipëri. Ky projekt është përgatitur nga NAMSA dhe parashikon që brenda vitit 2013 të demontohen të gjithë municionet e tepërta në Shqipëri. Projekti është i shtrirë në 4 vjet dhe ka një kosto totale prej 35.5 milionë euro.
Ambasadori i SHBA-së në NATO deklaroi se, qeveria amerikane vë në dispozicion të këtij projekti 10 milionë dollarë. A ka theksuar se qeveria shqiptare ka manifestuar vullnet dhe vendosmëri për ta realizuar sa më shpejt procesin e demontimit të municioneve, si dhe ka nënvizuar se SHBA janë të vendosur për të ndihmuar Shqipërinë për të shmangur përfundimisht këtë rrezik.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, i pranishëm në këtë konferencë, falenderoi qeverinë amerikane  për kontributin e dhënë dhe ftoi vendet e tjera që të shohin mundësinë për të kontribuar në këtë projekt. Ai informoi ambasadorët e pranishëm në këtë konferencë për hapat e ndërmarra ngë Ministria e Mbrojtjes në këtë proces dhe deklaroi se është miratuar Bordi Drejtues i demontimit të municioneve të tepërta, si dhe Plani i Veprimit për demontimin e këtyre municioneve, i cili detajon mënyrën e realizimit të procesit të demontimit brenda vitit 2013.
Për realizimin e këtij projekti, qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion 8.5 milionë euro. Ndërkohë pritet që në vijim vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere të njihen më mirë me projektin e NAMSA-s dhe të kontribuojnë për realizimin e tij. Projekti i NAMSA-s është në koherencë me Planin Kombëtar të Veprimit për Demontimin e Municioneve të Tepërta të miratuar nga ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, pak muaj më parë.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek