Presidentët Barak Obama dhe Dimitri Medvedev ranë dakort të premten (26 mars) mbi një traktat historik të kontrollit të armëve, që parashikon për një pakësim thelbësor të arsenalëve të mbushjeve bërthamore të të dy vendeve.
"Jam i gëzuar të njoftoj se pas një viti bisedimesh intensive, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord mbi marrëveshjen më tërësore të kontrollit të armëve në gati dy dekada," tha Obama pas një bisede telefonike me homologun rus të tij.
Të dy udhëheqësit janë caktuar të nënshkruajnë paktin më 8 prill në Pragë. Ai do të zëvendësojë Traktatin e Pakëimit të Armëve Strategjike (START) që përfundoi në fund të 2009. Marrëveshja e re do të hyjë në fuqi pas ratifikimit nga Senati i SHBA dhe Duma ruse. Pasi të ratifikohet marrëveshja, vendet kanë shtatë vjet për të përmbushur angazhimet e tyre.
"Me këtë marrëveshje, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë, dërgojnë gjithashtu një mesazh të qartë se kemi ndërmend të udhëheqim," u tha Obama gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. "Duke mbajtur angazhimet tona në kuadrin e Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT), forcojmë përpjekjet tona botërore për të ndalur përhapjen e këtyre armëve dhe për të siguruar që vende të tjera të përmbushin përgjegjësitë e tyre."
Sipas marrevëeshjes, secila palë do të duhet të pakësojë numrin e mbushjeve bërthamore të vendosura në funksionim me rreze të largët në 1,550, që është 30% më i ulët se 2,200 të lejuara tani. Kjo shkon në pak më shumë se një çerek i 6,000 i kufirit të mbushjeve, i caktuar në marrëveshjen fillestare START.
Të dy vendeve do t'u kërkohet gjithashtu që të çojnë numrin e lëshuesve të vendosur dhe të pavendosur dhe të bombarduesve të rëndë të pajisur për armë bërthamore në 800. Kjo është një pakësim nga 1,600 në traktatin e 1991.
Të dy vendet ranë dakort gjithashtu që të kufizojnë numrin e raketave të vendosura ndërkontinentale dhe të lëshuara nga nëndeteset, në 700 secili.
Sekretarja e Shtetit e SHBA Hillari Klinton tha: "Hapat që po marrim i shtohen diçkaje që përbën një synim të deklaruar shumë të qartë."
Obama tha se traktati i ri START do të vendosë një mekanizëm të fortë dhe të efektshëm për verifikimin dhe mbikqyrjen, ndërsa ruan fleksibilitetin që vendi i tij ka nevojë për të mbrojtuar sigurinë kombëtare dhe për të respektuar angazhimeve ndaj aleatëve të tij.
Presidenti i SHBA vuri në dukje se marrëveshja do të ndihmojë të dy vendet që të lënë pas "ditët më të errta të Luftës së Ftohtë".
"Kur Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund të bashkëpunojnë efektivisht, kjo përparon interesat e përbashkëta të dy vendeve tona dhe sigurinë e prosperitetin më gjerë në botë," tha Obama.
Rusia, megjithatë, ende paralajmëron se do të dalë nga marrëveshja nëse Shtetet e Bashkuara shkojnë tepër larg me planet për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes me raketa në Europën Lindore, të cilin Moska e kundërshton fuqishëm.
"Traktati po përfundohet kur të dy palët kanë nivele korresponduese të sistemeve strategjike të sulmit dhe mbrojtjes," citoi Wall Street Journal të thotë Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. "Çdo ndryshim në këto nivele i jep secilës palë të drejtën që të shqyrtojë çështjen e pjesëmarrjes së mëtejshme të saj në pakësimin e armëve strategjike."
Marrëveshja e së premtes, ndërkohë, mori lavdërime nga zyrtarë ndërkombëtarë të lartë, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Ban Ki-mun, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmusen dhe shefen e politikës së jashtme të BE Kethrinë Eshton.
Në një deklaratë, Ban shprehu shpresë se marrëveshja "mund të ratifikohet pa vonesë, në mënyrë që të lejojë zbatimin e shpejtë të saj".
| Tiranë | 14 | °C | |
| Prishtinë | 13 | °C | |
| Ulqin | 14 | °C | |
| Shkup | 13 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.52 | 142.14 |
| USD | 106.95 | 111.35 |
| GPB | 168.71 | 175.65 |
| CHF | 113.60 | 118.27 |