Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit informon opinionin publik se kohët e fundit janë evidentuar disa raste mashtrimesh pre e të cilave kanë qenë qytetarë të ndryshëm shqiptarë, të cilët përmes mesazheve telefonike apo postës elektronike janë njoftuar se janë shpallur fitues të çmimeve të rreme në shuma të mëdha, me qëllim përfitimin prej tyre në mënyrë të paligjshme të parave apo përdorimin e të dhënave të tyre personale për qëllime kriminale.
Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin e këtij mashtrimi në dëm të shtetasve të tjerë, bën publike disa të dhëna mbi mënyrën se si realizohet ky mashtrim.
Nga hetimet e kryera rezulton se personat që kryejnë këtë mashtrim, gënjejnë qytetarët nëpërmjet mesazheve telefonike dhe postës elektronike në adresat e internetit, duke i bërë të besojnë se janë fitues të çmimeve të ndryshme (deri në 500.000 paund) të organizuara nga kompani të mëdha si kompania "Nokia" etj.
Për të qenë sa më të besueshëm për viktimat e tyre ata dërgojnë në adresat e postës elektronike fotografi dhe të dhëna personale të personave të ndryshëm, duke i bërë qytetarët të besojnë se janë presidentë të fuqishëm të kompanive të mëdha.
Menjëherë sapo kryhet kontakti me këto persona, mashtruesit bindin viktimat e tyre, se duhet të japin një shumë parash paraprakisht në forma dhe mënyra të ndryshme gjoja për të paguar taksa të llojeve të ndryshme, si DHL për dërgesa apo dhe shërbime, etj..
Me këto mashtrime ata kanë arritur në disa raste të përfitojnë shuma të mëdha parash nga qytetarët.
Për këto raste nga Sektori kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë marrë kallëzimet nga qytetarët e mashtruar dhe po kryhen hetimet përkatëse për veprën penale të "mashtrimit kompjuterik", parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal. Në kuadër të këtyre hetimeve po bashkëpunohet dhe me strukturat policore të shteteve të tjera, pasi nga të dhënat e deritanishme rezulton se këto persona e kryejnë këtë veprimtari të paligjshme jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë kontekst Policia e Shtetit fton qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, si dhe për çdo rast të informojnë policinë përmes numrit telefonik 06941 0 2688, të Sektorit kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
| Tiranë | 14 | °C | |
| Prishtinë | 13 | °C | |
| Ulqin | 14 | °C | |
| Shkup | 13 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.52 | 142.14 |
| USD | 106.95 | 111.35 |
| GPB | 168.71 | 175.65 |
| CHF | 113.60 | 118.27 |