Notat
e marra në Letërsi dhe Matematikë do të jenë përcaktuese për nxënësit e
shkollave profesionale. Kjo pasi këtë vit, atyre nuk u është dhënë e
njëjta peshë në totalin e 5 notave të Maturës Shtetërore. Ndërkohë që
është ruajtur e njëjta peshë për vlerësimin e arritur në lëndët e
detyruara për nxënësit e gjimnazeve të përgjithshme.
Provimet
e detyruara
Do
të luajnë një rol vendimtar në përcaktimin e listës së fituesve të
Maturës 2010. Kjo pasi për disa nga profilet e caktuara ata do të kenë
pesha të ndryshme. Që do të thotë se në varësi të profilit të
gjimnazit, pesha e notës që ka Letërsia dhe Matematika do të jenë të
ndryshme. Rregullorja e re e Maturës Shtetërore 2010 përcakton qartë se
për gjimnazet me profile të përgjithshme, ku bëjnë pjesë ato të
drejtimit natyror dhe shoqëror secili nga provimet e detyruara (D1 -
Letërsia dhe D2 - Matematika) do të ketë nga 20 për qind të totalit të
pikëve që do të grumbullojë një maturant. Po kaq do të jetë edhe
përqindja që do t'u korrespondojë dy provimeve me zgjedhje si dhe notës
mesatare të shkollës së mesme. Pra për këto gjimnaze, 5 notat e maturës
shtetërore, do të ndajnë një përqindje të barabartë midis tyre.
Diferencën këto lëndë do ta bëjnë në shkollat profesionale. Rregullorja
e Maturës 2010 përcakton se përqindja e notave të provimeve të
detyruara (D1 dhe D2) për shkollat profesionale do të jetë e ndryshme,
duke i dhënë rëndësi më të madhe vetëm njërit nga provimet e detyruara,
në varësi të profilit. Kështu për shkollat profesionale dhe social
kulturore, ndarja do të jetë si më poshtë: në shkollat profesionale
Letërsia do të ketë 15 për qind të totalit të pikëve, ndërsa Matematika
25 për qind. Në shkollat social - kulturore peshën më të madhe do ta
ketë Letërsia dhe Gjuha Shqipe, e cila do të ketë 25 për qind të
totalit të pikëve, ndërsa Matematika do të ketë vetëm 15 për qind. Kjo
shpërndarje e peshës specifike për dy provimet me detyrim është bërë
për shkak të natyrës dhe orientimit që kanë këto profile të shkollave
të mesme. Ndërkohë që dy provimet me zgjedhje si dhe nota mesatare do
të kenë secila nga 20 për qind të pikëve. Në shkollat pedagogjike të dy
provimet me detyrim, Letërsia dhe Gjuha Shqipe si dhe Matematika do të
kenë një peshë të barabartë, pra nga 20 për qind të totalit të pikëve.
Pikët me të cilët hyn në garë një maturant përbëhen nga dy notat e
provimeve me detyrim, dy notat e provimeve me zgjedhje si dhe nota
mesatare e katër viteve të shkollës së mesme.
ShtypiDites