Intervistė e kryeministrit Berisha nga Brukseli

Intervistė e kryeministrit Berisha nga Brukseli

Gjatë vizitës në Bruksel, Kryeministri Berisha dha sot një intervistë për Televizionin Publik Shqiptar.

Pyetje: Zoti kryeministër, Çfarë diskutuat gjatë takimit me zotin Barroso?

Kryeministri Berisha: Unë mund të them që ishte një takim i shkëlqyer me një mik të shquar, të madh,  të shqiptarëve, me të cilin diskutuam gjerësisht, për bashkëpunimin e ngushtë dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm që ekziston midis Shqipërisë dhe Komisionit  Evropian, për ndihmën tejet të çmuar që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë gjatë 18 viteve, si partneri numër një , në të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për  integrimin në BE, në të gjitha projektet e mëdha që ka ndërmarrë në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi e njoha zotin Barroso me reformat e thella e të gjithanshme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare gjatë këtyre viteve, suksesin e  ndjeshëm të këtyre reformave. Diskutuam për përgjigjet e pyetësorit që ne dorëzuam dje, tek komisioneri Fyle, në një libër shumë voluminoz, si dhe për konceptin tonë të bazuar në performancën dhe meritën, në procesin e integrimit.

Gjithashtu diskutuam  edhe për situatën politike në vend, ku unë  e sigurova  Presidentin Barroso se ligjet dhe institucionet  e vendit bëjnë plotësisht të mundur,  si respektin e plotë të kushtetutës, ashtu edhe transparencën e plotë, të çdo lloj dokumenti të atij vendi.  Në këtë kontekst, i shpreha zotit Barroso se dëshira e qeverisë është e plotë, që të operojë në përputhje me këto dy parime.

Pyetje: Zoti kryeministër a morët një garanci për një përshpejtim të procesit, nga Komisioni, për sa i përket heqjes së vizave?

Kryeministri Berisha: Unë mora garanci të plotë për qëndrimin pozitiv ndaj këtij procesi dhe vlerësimet janë qartësisht pozitive për të gjithë reformat që ka ndërmarrë Shqipëria në këtë proces. Dje dhe sot ka patur një qëndrim konsistent, pozitiv, të Komisionit ndaj vendimit të heqjes së vizave për shqiptarët, një vlerësim të madh të arritjeve dhe natyrisht  është në proces e sipër, sepse  do të kalojë nga Komisioni, në Këshillin e Ministrave, nga Këshilli i Ministrave në Parlament, pra ka procedurën  e vet, por të gjitha këto procese janë një rrjedhje shumë normale.

Zoti kryeministër, pavarësisht thirrjeve të Brukselit për sa i përket qëndrimeve të opozitës, sërish opozita nuk do të shkojë në parlament, ka vendosur të bojkotojë. A ju shqetëson kjo situatë e krijuar dhe ky mosreagim?

Kryeministri Berisha: Ajo që dua të theksoj është se procesi i integrimit kërkon që të gjitha forcat politike të dëshmojnë me vepra dhe jo me fjalë përkushtimin e tyre, ndaj këtij projekti madhor të të gjithë shqiptarëve. Uroj dhe shpresoj që opozita të bashkëngjitet dhe të luajë rolin e saj shumë të rëndësishëm në këtë proces, së bashku me mazhorancën. Kjo është thirrja ime.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek