Vizita zyrtare e
Presidentit të Republikës Topi në Maqedoni u përmbyll
sot me një vizitë në qytetin e Dibrës, ku u takua në Selinë e Komunës
së këtij qyteti me Kryetarin e saj, z. Argëtim Fida dhe përfaqësues të
tjerë lokalë. Në vijim, Presidenti Topi, së bashku me Zonjën e Parë,
Teuta Topi dhe delegacionin zyrtar shqiptar, si dhe i shoqëruar nga
Kryetari i Komunës së Dibrës bëri një vizitë në qendër të qytetit, ku
qindra banorë entuziastë me lule e banderola festive kishin dalë për ta
përshëndetur.
Më tej, nën shoqërinë e Kryetarit të Komunës, Presidenti Topi vendosi
lule tek busti i rilindasve shqiptarë Josif Bageri dhe Sait Naideni.
Vizita e Presidentit Topi në qytetin e Dibrës vijoi me ceremoninë për
nderimin e tij me titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për merita
të veçanta në promovimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe afrimin e
popujve dhe të shteteve në rajon”.
Në fjalën e tyre, personalitetet lokale që e përshëndetën këtë ceremoni
solemne vunë në dukje se kjo është një festë e rëndësishme për Dibrën e
Madhe pasi për herë të parë në historinë e këtij qyteti ai vizitohet
nga Presidenti i shtetit shqiptar së bashku me Zonjën e Parë dhe i
shprehën atyre mirënjohjen e thellë për këtë vizitë në qytetin e
Dibrës. “Dibranët për shumë arsye dolën sot për t’ju pritur. Vizita
juaj i kthen qytetit tonë rëndësinë e dikurshme dhe dëshmon angazhimin
tuaj konkret në zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe
Maqedonisë. Duke ndjekur një politikë moderne dhe të qëndrueshme dhe
duke qenë i angazhuar në promovimin e projekteve konkrete për afrimin e
mëtejshëm të dy popujve tanë, Kryetari i Shtetit shqiptar është kthyer
në një shembull të politikanit dhe për këtë e shumë arsye të tjera
Bashkia e Dibrës së Madhe ju nderon sot si “Qytetar Nderi” i qyteteve
tona”, - vlerësuan referuesit në këtë veprimtari.
Tepër i emocionuar nga ky nderim i veçantë e kuptimplotë, Kreu i
shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen duke theksuar se ky titull u
përket të gjithë shqiptarëve, të cilët ai si President i Republikës së
Shqipërisë i përfaqëson. “Unë sot jam dhe ndjehem një qytetar i
Dibrës”, - u shpreh Presidenti Topi, - “dhe kjo për mua do të mbetet
një vizitë e paharrueshme”. Pasi vlerësoi lart vlerat, kulturën dhe
traditën e zonës së Dibrës, por dhe historinë e saj, Presidenti i
Republikës shprehu mirënjohjen për të gjithë atë trashëgimi që dibranët
kanë gdhendur në pasurinë shqiptare të vlerave. Kryetari i Shtetit
shqiptar vuri në dukje se promovimi i politikave të fqinjësisë së mirë
është prioritet i shtetit shqiptar dhe nënvizoi se “gjithë
institucionet në Shqipëri janë të motivuara për të ndërtuar
infrastrukturën për të rivitalizuar korridorin tradicional të rrugës së
Arbrit, i cili besojmë se do të përfundojë në një periudhë sa më të
shpejtë duke afruar popujt tanë gjithnjë e më tepër”. Pasi i shprehu
mirënjohjen për nderimin e lartë, Presidenti Topi u nda me të
pranishmit në ceremoni duke i uruar atyre mbarësi, begati e prosperitet
shoqëror.
ShtypiDites