Meta takon ministrin e jashtem te Emirateve, ftese per investime

Meta takon ministrin e jashtem te Emirateve, ftese per investime
Në përfundim të Takimit Jozyrtar të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s në Estoni, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta zhvilloi një takim të veçantë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
 
Gjatë këtij takimi, u vlerësua rritja e marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë dy viteve të fundit dhe u diskutua mbi zgjerimin konkret të bashkëpunimit dypalësh në nivelin politik dhe atë ekonomik, veçanërisht në sektorin e investimeve.
 
Në këtë kuadër, z. Meta shprehu kënaqësinë e tij për hapjen së shpejti të Ambasadës shqiptare në Abu Dabi, ndërsa Sheikh Abdullah bin Zayed shprehu bindjen se edhe Emiratet e Bashkuara do të hapin Ambasadën e tyre së shpejti në Tiranë.
 
Gjithashtu u diskutua edhe mbi mundësitë që ofron Shqipëria për investitorët nga Emiratet e Bashkuara, duke theksuar këtu vendimin e marrë së fundmi nga Qeveria e EBA si dhe nga Fondi i Abu Dabit, për të ndihmuar në hapjen e tunelit që do të lidhë Tiranën me Elbasanin, gjë që u konsiderua si shumë e rëndësishme dhe strategjike nga z. Meta.
 
 
Prononcim për shtyp:
 
Z. Ilir Meta
 
Ishte kënaqësi e madhe dhe privilegj të shiheshim përsëri këtu në Talin, me Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Shkëlqesinë e Tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe të vlerësojmë që marrëdhëniet mes dy vendeve do të zgjerohen shumë shpejt me hapa dhe vendime konkrete të marra nga të dy Qeveritë.
 
Para disa muajsh, Qeveria jonë mori vendimin për të hapur Ambasadën shqiptare ne Abu Dabi, dhe shumë shpejt, Ambasadori i ri do të jetë atje, gjë që do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit të gjithanshëm me këtë vend mik.
 
Së dyti, autoritetet shqiptare kanë marrë vendimin për t’i vënë emrin e Sheikh Zayed, aeroportit të Kukësit, gjë që dëshmon mirënjohjen e thellë të popullit shqiptar për ndihmën dhe bujarinë e madhe që Sheikh Zayed dhe Emiratet e Bashkuara treguan gjatë krizës së Kosovës, duke strehuar në Kukës rreth 10,000 shqiptarë të Kosovës, por gjithashtu duke ndërtuar një aeroport të standardeve ndërkombëtare dhe jemi të nderuar që ky aeroport të mbajë emrin Sheikh Zayed përgjithmonë, i cili është një personalitet botëror, duke patur parasysh se ç’ka bërë ai për vendin e vet si dhe për paqen dhe stabilitetin në atë rajon.
 
Dua gjithashtu të falënderoj Ministrin e Jashtëm të EBA për vendimin e marrë nga Qeveria e tij si dhe nga Fondi i Abu Dabit, për të ndihmuar në hapjen e tunelit që do të lidhë Tiranën me Elbasanin, gjë që është shumë e rëndësishme dhe strategjike për ne. Ju falënderoj.
 

Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan
 
Së pari më lejoni të them se sa krenarë ndjehemi që marrëdhëniet tona janë rritur gjatë dy viteve të fundit. Më duhet të them se Qeveria e Shqipërisë luajti një rol shumë të rëndësishëm në zgjerimin e këtyre marrëdhënieve dhe jemi shumë të kënaqur që Qeveria juaj ka marrë vendimin për të hapur Ambasadën në Abu Dabi. Shpresoj që shumë shpejt edhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të hedhin të njëjtin hap.
 
Patjetër që marrëdhënia jonë është historike, por është edhe një marrëdhënie ndaj së cilës ne ndjehemi të detyruar dhe shumë krenarë. Jo vetëm në zhvillimin e marrëdhënieve tona me Shqipërinë por gjithashtu duke qenë një nga vendet e para që njohën Kosovën, ishte një sinjal i qartë jo vetëm për popullin mik të Kosovës, por edhe për vetë interesin e Shqipërisë në këtë marrëdhënie.
 
Shpresoj me të vërtetë që gjatë dy muajve të ardhshëm, do të vizitoj Tiranën për të falënderuar Qeverinë tuaj për emërtimin e aeroportit të Kukësit, por gjithashtu edhe për të parë mundësitë e zgjerimit të marrëdhënieve tona, veçanërisht në fushën e investimeve, ku unë mendoj se ka shumë mundësi, sepse në vendin tuaj ka një bazë të fortë për të tërhequr investimet nga EBA.

ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek