Ministri i Brendshëm Basha deklaroi sot në Komisionin
Parlamentar të Sigurisë se Shqipëria ka bërë progres solid në
përmbushjen e kritereve teknike për liberalizimin e vizave dhe pret që
pas paraqitjes së raportit të ketë një propozim pozitiv nga Komisioni
Europian dhe më tej një vendimmarrje pozitive nga Këshilli i Ministrave
dhe Parlamenti Europian.
-Kemi insistuar që vlerësimi për Shqipërinë
të jetë strikt, objektiv dhe i ndershëm, bazuar në kriteret teknike. Në
këtë proces synimi ynë nuk ka qenë gara me vendet e rajonit por arritja e
standarteve të zonës Schengen. Prandaj presim me qetësi pas këtij
raporti propozimin pozitiv të Komisionit, i cili padyshim do t'i hapë
rrugë një vendimmarrjeje pozitive nga Këshilli i Ministrave dhe nga
Parlamenti Europian,-deklaroi Basha.
Ministri Basha theksoi ndërkohë se falë procesit të përmbushjes së
kritereve për liberalizimin e vizave me BE, Shqipëria është pajisur me
sisteme e praktika konkuruese me vendet anëtare të Bashkimit Europian
dhe nga ana tjetër nëpërmjet verifikimit të ekspertëve ka eskpozuar
stadin në të cilin gjendet në luftën kundër krimit të organizuar,
korrupsionit, kontrollin e kufijve dhe në pajisjen e qytetarëve me
dokumenta të sigurta biometrike.
-Është bërë e mundur që para
partnerëve europianë, nëpërmjet gojës së ekspertëve dhe aktorëve të
tjerë të rëndësishëm vendimmarrës, Shqipëria të shfaqet si një vend
krejtësisht tjetër me atë perceptim që ka patur dekadën që kaloi, si një
vend që jo vetëm plotëson kushtet për liberarlizimin e vizave, por që
denjësisht ka zbatuar dhe disponon sisteme të denja për një vend anëtar
të Bashkimit Europian,-theksoi Basha.
Ministri i Brendshëm hodhi
poshtë spekulimet se Shqipëria është e vonuar në miratimin e disa
ligjeve, siç është edhe ligji ''Antimafia''.
-Një gjë duhet të kenë
ndërmend ata që mund të keqkuptohen dhe ata që mundohen ta keqpërdorin
informacionin kundër Shqipërisë. Shqipëria është i vetmi vend në
Ballkanin Perëndimor që ka sot këtë ligj. Implementimi i këtij ligji
është fokusi i autoriteteve shqiptare, po kurrkush mos të gabojë e të
thotë se meqë ligji ka kaluar në Janar, Shqipëria është e vonuar.
Shqipëria është i pari dhe i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që sot
disponon legjislacion që mundëson procesin e konfiskimit të aseteve të
krimit, një proces paralel me procesin penal, apo pavarësisht prej
procesit penal. Kroacia po harton tani këtë ligj, dhe asnjë vend tjetër
në Ballkanin Perëndimor. I bëj thirrje në veçanti mediave të mos bien
pre e atyre që dëshirojnë të përdorin, të marin peng procesin vital të
heqjes së vizave dhe të vazhdojnë në funksion të axhendave parapolitike
dhe asksionit parapolitik që bie ndesh me objektivat europiane të
Shqipërisë, përfshi dhe liberalizimin e vizave,-u shpreh Basha.
Ministri
i Brendshëm Z. Lulzim Basha raportoi në Komisionin Parlamentar të
Sigurisë edhe mbi rezultatet e luftës kundër kultivimit dhe trafikut të
lëndëve narkotike, ku ndër të tjera evidentoi faktin se sipas
statistikave të ekspertëve, kultivimi në dy vitet e fundit ka rënë në
masën 30%, si dhe shpjegoi masat që po merren për çrrënjosjen e këtij
fenomeni duke theksuar se asnjë pjesë e territorit të Shqipërisë nuk do
të mbetet jashtë kontrollit të strukturave të specializuara.
Ministri
Basha përshëndeti gjatë fjalës së tij raportet ndërkombëtare të cilat
dëshmojnë qartë se Shqipëria nuk është më një vend domethënës në rrugët e
tranzitit të drogës dhe në veçanti heroinës afgane për në vendet e
Bashkimit Europian.
ShtypiDites