As pėr mua, as pėr tinė, sidomos, jo pėr Shqipėrinė...

As pėr mua, as pėr tinė, sidomos, jo pėr Shqipėrinė...

Pavarësisht se Edi Rama është shkaktari dhe përgjegjësi kryesor i kësaj situate të tendosur, një zhvillim më tragjik i grevës, larg qoftë!, një humbje jete, do t’i faturohej sigurisht edhe Edi Ramës. Por më shumë do t’i faturohej kryeministrit Berisha.

Heroizmi i vërtetë dhe heroizmi konjuktural
Të mërkurën në mbrëmje, një zjarrfikës 46 vjeçar, babai i dy fëmijve, humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar një familje që kërcënohej nga zjarri, në një pallat në Fier. Ajo që na bëri përshtypje menjëherë ishte se përse ditëziu u ngjit me litar në katin e tretë, ku ndodhej familja e rrezikuar, e jo me shkallën e zakonshme të zjarrfikësve. Një përgjigje e parë është se reparti i zjarrfikësve nuk kishte një shkallë të tillë. Ose kishte, dhe ajo po përdorej në një sektor tjetër të zjarrit. Por 46 vjeçari Edmond Moçka, një hero i vërtetë i kohës sonë, nuk kërkoi shkallën, për zjarrfikësin në ato momente më shumë rëndësi kishte jeta e bashkëqytetarëve, se sa jeta e tij.
Ky është një rast gjithsesi i dhimbshëm, por po aq domethënës. Që dëshmon se në këtë Shqipërinë tonë, ku përherë e më rrallë bëhet fjalë për ekzistencën e ndjenjave të larta humane, ka megjithatë humanizëm, solidaritet njerëzor e vetëmohim.
Sigurisht, që Edmond Moçkës do t’i bëhen nderimet e merituara, pavarësisht se në këto nderime do të ketë një dozë të madhe hipokrizie; hipokrizi nga politika që e ka përvetësuar kaq mirë artin e të shtirit, (ndoshta kjo është e vetmja gjë që ka mësuar në këto 20 vite pluralizëm, pse demokraci, vështirë se mund të quhet...).
Shumëkush do të dëshironte që vetmohimi i zjarrfikësit nga Fieri të shërbente si një shkas apo shkak, që politika shqiptare dhe gjithë derivatet e saj, (mediat, OJQ-të, grupet e interesit), të shihte veten në pasqyrë e me dorë në zemër të mendonte për këtë situatë ku është katandisur vendi në këtë periudhë intensive integrimesh, kur Shqipëria vazhdon të jetë “50 vjet mbrapa e 250 vjet anash”, siç thuhet dhe në një barcaletë.
Sigurisht, nuk kemi iluzonin se ndokush mund ta bëjë këtë (të qëndrojë para pasqyrës). Pas dekorimeve, shpalljes së ndihmës qeveritare për familjen e të ndjerit, dhe deklaratave të rastit gjatë ceremonisë së varrimit, gjithçka do të kthehet në atë mizerabilitet, që tashmë përbën gjendjen më konstante të atdheut tonë, dhe me të cilën, për fat të keq, është pajtuar shumëkush, që nga qytetari i thjeshtë e deri te politikani më i lartë...
Zjarrfikësi nga Fieri e humbiste jetën, në kohën që ndoshta dikush prej grevistëve të ngujuar në bulevardin qendror të Tiranës, i drejtohej spitalit. Me gjithë respektin për aktin sublim të ngujimit në grevë urie, nuk mund ta pranoj assesi se vetëmohimi i zjarrfikësit ka lidhje me vetëmohimin e grevistit. Dhe kjo çështje kërkon një shpjegim më të gjatë:
Në një editorial të botuar në korrik 2009, pas mbledhjes së kryesisë së PS, kishim theksuar se na bënte përshtypje që ajo kryesi nuk merakosej të shqyrtonte shkaqet e humbjes, të cilën e kishte pranuar ndërkaq, “por preokupohet më tepër dhe thuajse ekskluzivisht se si të shkaktojë një periudhë të tensionuar, gjoja në emër të mbrojtjes së votave të shqiptarëve”.

Dhe vazhdonim me drojen se “socialistët e rinj, që realisht po i afrohen moshës biologjike të pensionit, po ndjejnë nostalgji për qershorin e 1997-s, kur erdhën rishtas në pushtet, për shkak të pakënaqësisë mbarëpopullore që shpuri në trazirat e njohura e aspak të dëshirueshme. Por sot jemi në vitin 2009, Shqipëria është anëtare e NATO-s, (në sajë edhe të punës së bërë nga socialistët e periudhës p.r. (para Ramës), po ecën drejt anëtarësimit në familjen e madhe europiane. Nëse lidershipi i sotëm i socialistëve dëshiron të dëshmojë se është bashkëkohës i kësaj periudhe dhe e këtij viti, duhet të sillet ashtu siç i ka hije. Këtë kemi mendimin se e kërkon shumëkush: edhe ata që hodhën votën për Ramën, edhe ata që Rama i quan “masakrenj”, duke etiketuar kështu realisht gjysmën tjetër të popullsisë që nuk e votoi”, mbyllej editoriali i Tribunës.
Te “Dëshmorët e Kombit”, dëshmorët e Edit...

Zhvillimet që pasuan, për fat të keq, vërtetuan parashikimin tonë. Ditë pas dite, Edi Rama i radikalizoi edhe më tepër qëndrimet e tij, duke qenë vazhdimisht befasues. Kujtoni se në muajin gusht, pas mbledhjes së asamblesë kishte deklaruar se bojkotimi i parlamentit nuk përfshihej në reagimet e PS dhe disa ditë më vonë, shpalli bojkotin. Të cilin e prishi “përkohësisht” më 6 mars, vetëm e vetëm që deputetët të mos humbisnin mandatin. Dhe këtu është radha t’i kujtojmë kreut të PS-së, se, kur kërkon të dijë që “Ku është vota ime”, këtu duhet të ketë parasysh vetëm e vetëm votën e tij, hajde dhe të lidershipit socialist. Sepse populli votën ua dha që t’i shohë në parlament, e jo rrugëve. Prandaj dhe në gjithë gjuhët e botës gjendet ajo shprehja eufemike që deputetët i konsideron si “baballarë të kombit”.

Me bojkotin e vet, PS përsëriti lojën e njohur të demokratëve kur ishin në opozitë. Partia Demokratike kishte bojkotuar parlamentin pas zgjedhjeve të vitit 2001, si protestë ndaj “votave të vjedhura nga PS”. Këtë vjedhje, madje demokratët e argumentuan edhe para parlamentit Europian, ku çdo eurodeputeti i kishin dërguar nga një dosje ku përfshihej material filmik që vërtetonte parregullsitë e zgjedhjeve. Parlamenti Europian i kishte pranuar atëherë argumentat e demokratëve, por u rekomandoi kthimin në parlament, çka Berisha e bëri dhe 4 vjet më vonë u rikthye në pushtet.

Ndaj ankesave të Edi Ramës, siç e kemi ndjekur kronikën e ngjarjeve, nuk ka pasur një pozicionim të prerë favorizues, me përjashtim të deklaratave të përgjithshme për zgjidhjen e krizës, deklarata që secila prej dy partive i ka interpretuar sipas mënyrës së vet. Dhe, ndërsa Brukseli vazhdon me deklarata e përgjithshme, se zgjidhjen duhet ta gjejnë vetë palët, që në shqip mund të përktheheshin (deklaratat) edhe si “thyeni qafën e hëngshi kokën e njeri-tjetrit”, opozita paralajmëron për radikalizim të mëtejshëm, sepse “nuk ka rrugë tjetër për të mbrojtur demokracinë në Shqipëri” – (Eduart Shalësi, deputet i PS). Sigurisht, deputeti nuk sqaron se ku ngjit demokracia me radikalizimin, por kjo është një çështje tjetër.
Nga ana tjetër, deputetja Valentina Leskaj, deklaron se greva e opozitës “nuk është presion, pasi socialistët kanë dhënë prova që kërkojnë dhe duan një kompromis, ndaj kanë hyrë në Parlament dhe kanë njohur rezultatin legal të zgjedhjeve”.

Përse atëherë kalohet në një akt kaq ekstrem si greva e urisë? Përse në shekullin e 21-të, në një vend që (supozohet se) aspiron t’u bashkohet vlerave më të mira europiane, jeta e njeriut shpërfillet në këtë farë feje – pse greva e urisë, më së pari përmban rrezukin për shëndetin e për jetën e atyre që futen në grevë. I respektojmë maksimalisht ata 200 vetë që ndodhen të ngujuar në bulevard që prej 30 prillit; respektojmë edhe aktin e tyre që përmban brenda edhe vetëmohimin. Mirëpo, a ia vlen një sakrificë kaq sublime? A e kanë pyetur veten se mos, duke u sakrifikuar në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ata dashur pa dashur do të shndërrohen në Dëshmorë të Edi Ramës?...



Vota e Ramës dhe vota e elektoratit

Edi Rama, deri më sot, nuk ka dhënë asnjë përgjigje se përse ai nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit, gjë që është jo thjesht normale, por e domosdoshme për çdo lider partie politike, aq më tepër për një parti që aspiron të marrë pushtetin pas atyre zgjedhjeve.

Edi Rama nuk ka dhënë një përgjigje bindëse se ku iu vodhën votat, me përjashtim të 100 copëve të Ruzhdies. Kryesocialisti e kryebashkiaku nuk na ka paraqitur asnjë komisioner socialist që të deklarojë se ku, si e qysh u vodhën këto vota.

Edi Rama e fton elektoratin socialist që të kërkojë ku i shkoi vota, në kohën që duke qenë në thelb Rama autori i Kodit të Ri Zgjedhor, i zhvlerësoi votat e elektoratit socialist. Le të kujtojmë se koalicioni i PS mori më shumë vota nga ai i PD, por “kulinaria zgjedhore” e Ramës rezultoi e tillë, që i la socialistët në opozitë.

Edi Rama nuk ka bërë asnjë autokritikë për humbjen e zgjedhjeve, një humbje që në radhë të parë ngarkon me përgjegjësi atë vetë. Veç nëse është një risi tjetër shqiptare që për humbjen e betejës fajin e kanë që të gjithë ushtarët, por assesi komandanti i tyre...

Dhe ky Ed Ramë kërkon tashmë, pas një viti, që t’ia servirin pushtetin në pjatë.... Duke harruar postulatën e demokracisë se ai pushtet që dikur fitohej “me grykën e pushkës”, sot fitohet me forcën e votës.

Ndryshe, nuk mund të shpjegohet përzgjedhja e një mënyre kaq ekstreme proteste, vetëm e vetëm për të “emancipuar pushtetin e Berishës”. Një pushtet që vërtet është shumë larg të qenit i emancipuar. Por që e mori pushtetin në saje të votës. Dhe në atë demokraci që aspirojmë të gjithë, verdikti i votës është i shenjtë, i pacënueshëm dhe i patjetërsueshëm.



Berisha dhe gruaja e Cezarit

Sigurisht, verdikti i 28 qershorit, që sipas të gjitha gjasave ka qenë në favor të Berishës, nuk e shkarkon kryeministrin nga përgjegjësia për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria. Dhe nuk e kemi fjalën thjesht te greva e urisë. “Gruaja e Cezarit nuk mjafton të duket e ndershme, por edhe të jetë e tillë”. Nëse vota më 28 qershor u hodh pas vënies në balancë të arritjeve dhe premtimeve të dy rivalëve kryesorë, sot, një vit më vonë, në Shqipëri gjërat kanë stopuar. Dhe kjo nuk i dedikohet vetëm krizës globale apo rajonale. Për të cilën kryeministri thotë vazhdimisht se nuk e prek Shqipërinë.

Një qëndrim i shkurtër në atdhe, e bind shumkënd se gjatë këtij një viti pas zgjedhjeve, vendi, në mos ka bërë mbrapa ka mbetur në vend. Çfarëdo qeveri (po të kishte cipë në faqe), do të gjente plot arsye që të turpërohej për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria sot:

Biznesi vazhdon të asfiksohet, sa nga dobësimi i fuqisë blerëse, aq edhe nga gjobat shpesh të paargumentuara, të cilat biznesi duhet më parë t’i paguajë e pastaj të apelojë kundër tyre...
Një fenomen i ri është tashmë që njerëz deri dje të panjohur as nga komshinjtë e tyre (por të preferuar nga pushteti aktual), të gdhihen befas multimilionerë e të blejnë gjithçka që u del përpara nga resurset shtetërore apo private.
Njerëzit po varfërohen e po vriten mes vedit për çështje të pronave (vëlla e motër u vranë pardje në krujë), ndërsa politika fishkëllen në qejf të vet. Deputetë të pozitës e të opozitës flitet se kanë vënë pasuri përrallore; për këtë arsye ndoshta “tarifa” një post deputeti flitet po ashtu, se fillon te 200 mijë eurot...
Gjithfarë spekulatorësh e dallkaukësh përfitojnë në mënyra të ndryshme duke treguar si pasaportë e karta biankë, në zyrat e shtetit, dokumentin partiak...
Nëpunës të palarë të “peshojnë” kur shkon në këto zyra për ndonjë hall, me qëllim që të marrin vesh nëse je “i joni” apo “socialist”...
Në të njëjtën kohë, kryeministri dhe qeveria janë mobilizuar për liberalizimin e vizave dhe trumpetojnë progresin e evidentuar edhe nga Bashkimi Europian. Por asnjëherë nuk menduan se si ka mundësi që vende me probleme shumë më të mëdha, madje kardinale, si Serbia apo Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, e kanë arritur tashmë liberalizimin, ndërsa Shqipëria jo. Dhe pa pikën e turpit mburren se kanë plotësuar gjithë kriteret teknike, si pasaportat e letërnjoftimet e reja (sinqerisht përgëzime!), ndërkohë që është paqëndrueshmëria politike ajo që i ka vënë Shqipërisë barrierën e pakapërcyeshme të liberalizimit. I cili liberalizim, - të kuptohemi- , nuk do të thotë as se shqiptarët do të hanë të gjithë me lugë floriri, dhe as se Europa do të presë krahëhapur këta shqiptarë.
Megjithatë, guxojmë të themi se aktualisht, Berisha është e keqja më e vogël. Na ka zënë goja lesh duke thënë se fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë është që nuk gjendet një brez njerëzish të rinj, politikanësh me koncepete bashkëkohore e me ideale të vërteta, që t’i jepte shkelmin kastës së politikanëve ekzistues. Ilir Meta, që ishte figura më premtuse, duket se gradualisht do të zhgënjejë edhe përkrahësit më të flaktë të tij. Erjon Veliaj që fillimisht la të kuptohej se po sillte diçka të re, rezultoi përfundimisht thjesht një bullon i spanuar në qerren e Edi Ramës... Në horizonte nuk duket diçka e re për fat të keq, prandaj neve na duhet të kavërdisemi me dhjamin tonë, pra me këta që kemi: Berishën e Ramën. Që për më tepër, pavarësisht ndryshimit në moshën biologjike, kanë moshë të njëjtë politike, madje dhe tipare të njëta, do të thoshja, aq sa shpeshherë nuk i dallon nga njeri tjetri...

“Sazexhinjtë” dhe “maskarenjtë”

Ajo që ne do ta quanim një kapriçio të Edi Ramës, pavarësisht morisë së kundëragumenteve që do të mund të rreshtonte ky dhe përkrahësit e tij, ka shumë gjasë ta zhysë Shqipërinë edhe më thellë në një gjendje kaotike, të cilën nuk e meritojnë as votuesit e PS, dhe as ata që Edi Rama i cilësonte si “maskarenj” më 30 qershor, domethënë pjesën tjetër të elektoratit që votoi për PD-së.

Sigurisht, ky kaos nuk do të jetë kurrsesi si ai i 1997-s, por këto ditë, është rizgjuar tendenca e ndarjes së shqiptarëve në “të mirë” e “të këqij”, si ajo ndarje që u tentua më 1997 midis Jugut e Veriut. Hidhini një sy faqeve të FaceBook-ut apo komenteve nën shkrimet e gazetave në internet dhe do të tmerroheni nga urrejtja vrastare, do të thoshnim, që shqiptarët shprehin për njeri tjetrin.

Njeriu i zakonshëm nuk mund të mos tmerrohet, apo më së paku të trishtohet, kur dëgjon Edi Ramën të cilësojë “turmë sazexhinjsh” artistë të mirënjohur si Avni Mula, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, e të tjerë, që kanë rritur e edukuar shumë breza shqiptarësh me artin e tyre. Kryesocialisti, që ka qenë edhe ai artist në rini të vet, i zhvlerëson në këtë farë feje, vetëm e vetëm sepse ata, apeluan publikisht që t’i jepet fund grevës. Njerëz si Avni Mula e Margarita Xhepa, në moshën që janë, nuk do të mund të kishin arsye tjetër veç ndjenjave prindërore, që t’i shtynte në atë apel publik. Por kryesocialisti dhe “etaloni i të moderuarit”, duket se frymëzohet nga postulata hitleriane se “kush s’është me mua, është kundër meje”, apo mania vrastare e diktatorit Hoxha ndaj intelektualëve në vitet e para të sundimit komunist në Shqipëri... Dhe ky mentalitet nuk parathotë asgjë të mirë për gjithë përkrahësit e socialistëve apo për gjithë ata të tjerë që duan me të vërtetë ndryshim. Edi Rama, pa qenë në pushtet dëshmon, (madje i ka tejkaluar) gjithë cilësitë e Berishës së Parë, pra të periudhës 1992-1997. Por nëse Berishës i falen shumë “kusure” të asaj periudhe, duke ia justifikuar me rrethanat e atëhershme, nuk mund t’i falen Edi Ramës. Për të vetmen arsye se ai vetërekalmohet e reklamohet nga të tjerët, se është sendërtimi më i përkryer i politikanit të dobishëm për vendin...
(Për hir të së vërtetës duhet thënë, se nuk mbeten prapa as “demokratët”, të cilët “zbuluan” se Elsa Lila, ajo këngëtare me të cilën krenohej çdo shqiptar, na qenkërka “lezbike”, vetëm tani që hyri në grevën e urisë...)!
Berisha të ngrihet mbi veten
Pavarësisht se Edi Rama është shkaktari dhe përgjegjësi kryesor i kësaj situate të tendosur, një zhvillim më tragjik i grevës, larg qoftë!, një humbje jete, do t’i faturohej sigurisht edhe Edi Ramës. Por më shumë do t’i faturohej kryeministrit Berisha.
Prandaj, në një situatë të tillë, mendojmë se Berisha do të duhej normalisht të ngrihej përtej vetëvetes. E përsërisim: ne jemi të sigurt se zgjedhjet e 28 qershorit janë fituar me meritë nga PD. Dhe, edhe sikur në numërimin e votave të ketë pasur manipulime, ato manipulime janë bërë nga të dy palët. Sepse në komisione kishte përfaqësues vetëm nga PD e PS. Dhe më kryesorja, edhe nëse ka pasur manipulime, ato nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar. Zgjedhjet janë si një ndeshje finale: nuk ka rëndësi nëse humbet 7-8 apo 0-1, i rëndësishëm është vetëm rezultati.

Në këtë arsyetim, pranimi nga ana e Berishës i kërkesës së hapjes së kutive, duke theksuar se kjo bëhet vetëm për hir të tensionimit të situatës, pra duke e cilësuar si një lëshim, do të ishte një akt sa moral, aq edhe politik.

Argumenti se hapja e kutive do të krijonte një precedent, që çdo parti e cila humbte zgjedhjet do të kërkonte të bënte të njëjtën gjë, pra t’i kontenstonte e të kërkonte hapjen e kutive, është më së paku absurd dhe kompromenton gjithë përbetimet e dy partive kryesore për zgjedhje të ndershme. Le të plasin kokën e të bëjnë me të vërtetë zgjedhje të ndershme e të drejta, e pastaj t’i thonë “ik pirdhu!”, kujtdo që do të shpallë kontestime.

Për dy gërma, fjala “Zgjedhje” bëhet “Vjedhje”...
Por duket se fati i zgjedhjeve shqiptare është parashkruar nga fjalori i shqipes, që në rastin konkret i ka bërë fjalët “zgjedhje” dhe “vjedhje” aq shumë të ngjashme, sa që gjithçka është punë një-dy gërmash...

Tribuna

E Hene, 17 Maj 2010

Tribuna
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek
Nursing Schools in Georgia, Big Brother Albania 6, PDF Search Engine, Tirana Hotels Oroskopos