Liria e pestė e ambasadorit amerikan

Liria e pestė e ambasadorit amerikan

Nga Kastriot MYFTARAJ 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Presidenti amerikan Roosevelt shpalli se SHBA-të do të luftonin që bota të kishte ato që ai i quajti “Katër Liritë” (liria e shprehjes, besimit fetar,

liria nga nevojat materiale, si dhe liria nga frika). Në mënyra të ndryshme, të gjithë presidentët e mëvonshëm e kanë rimarrë këtë tezë, duke bërë variacione retorike mbi të. Në Shqipëri SHBA-të nuk kanë bërë asgjë konkrete për njërën nga liritë më të rëndësishme të Roosevelt, atë të çlirimit të shqiptarëve nga nevojat materiale. Sa për tre liritë e tjera, amerikanët kanë investuar retorikë të madhe në Shqipëri. Ambasadori amerikan Withers u ka shtuar edhe një liri të pestë atyre rooseveltiane. Kjo është liria nga arsyeja. 
Qëndrimi i ambasadorit amerikan ndaj kundërshtimit të Kuvendit për emërimin e Vangjel Kostës anëtar i Gjykatës Kushtetuese, është shembulli më i qartë i lirisë të pestë amerikane në Shqipëri. Withers zgjodhi që të prononcohet për këtë në tryezën “Media dhe sistemi i drejtësisë”, që u mbajt në 24 maj 2010, nga Instituti Shqiptar i Medias, përballë një auditori gazetarësh, gjyqtarësh, prokurorësh, ku tha:
“Para se të përfundoj fjalimin tim, unë dua të ngre një çështje konkrete të freskët, për të cilën mendoj se duhet të shqyrtohet nga media dhe gjyqësori. Pak ditë më parë emërimi i z. Vangjel Kosta u kundërshtua nga parlamenti në një votim afërsisht në linjë partiake. Sinqerisht, unë e gjej vendimin konfuz, nëse jo të pakuptueshëm. Qartësisht, vendimi nuk ishte për shkak të kualifikimit të z. Kosta, derisa eksperienca dhe aftësitë e tij janë përtej diskutimit dhe profile i tij si jurist është i nivelit më të lartë edhe në rrafsh ndërkombëtar. Dhe arsyet e dhëna për votimin parlamentar duken të jenë politike, çka është shqetësuese. Media dhe gjyqësori, duhet, besoj unë, së bashku të ekzaminojnë vendimin e pashpjegueshëm dhe në emër të publikut dhe tuajin të pyesni: A ishte vendimi i bazuar në arsye, apo ishte një tjetër shembull i ushtrimit të presionit politik në procesin e
përzgjedhjes së kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese. Arsyet e dhënë për kundërshtimin çuditërisht ngjajnë me kriteret e ligjit të vitit të kaluar për lustracionin, që u deklarua jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. A nuk duhet që ju të pyesni për këtë? A nuk duhet që ju të kërkoni faktet për atë që ndodhi? E gjithë kjo ngre çështjen e sundimit të ligjit në demokracinë në Shqipëri që është ende duke u rritur. Nuk më takon mua që t’ u jap ju përgjigjet për pyetjet që ju mund të ngrini, madje që disa nga ju i kanë ngritur. Gjyqtarët duhet t’ i bëjnë këto pyetje dhe po ashtu edhe gazetarët. Këto janë qendrore për rolin tuaj në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesit publik të shqiptarëve”.
Siç shikohet, ambasadori amerikan, njëkohësisht, i ftoi gjyqtarët dhe gazetarët që t’ i drejtonin disa pyetje mazhorancës parlamentare dhe qeverisë, dhe në të njëjtën kohë u dha dhe përgjigje këtyre pyetjeve. Kjo është sjellja klasike e ambasadorëve sovjetikë në vendet satelite. Por tashmë kjo nuk ka rëndësi, se është gjë e njohur. Ajo që të bën përshtypje është shkujdesja për arsyen e ambasadorit amerikan, i cili e përdori disa herë fjalën “arsye” në fjalimin e vet. Rregullat elementare formale të arsyetimit të çojnë tek përfundimi se rrëzimi nga mazhoranca i kandidaturës së Vangjel Kostës, nuk tregon, siç pretendon ambasadori amerikan, se mazhoranca ka shkelur Kushtetutën, derisa ka përdorur ato shkaqe që u quajtën antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias, në rastin e ligjit të lustracionit. Atëherë, si ambasadori amerikan dhe Komisioni i Venecias deklaruan se
ata e kundërshtonin ligjin e lustracionit për arsye proceduriale, se ai parashikonte shkarkimin me votim të thjeshtë të gjyqtarëve të cilët sipas Kushtetutës duhej të shkarkoheshin me votim të cilësuar. 
Rasti i Vangjel Kostës tregoi se ambasadori amerikan ka gënjyer kur kundërshtoi ligjin e lustracionit. Në rastin e Vangjel Kostës mazhoranca parlamentare është krejtësisht korrekte në aspektin procedurial. Mzhoranca parlamentare ka ushtruar atributet e saj ligjore për të mos pranuar emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese. Këtë herë ambasadori amerikan, duke mos patur mundësi të kapej në çështje proceduriale, e hoqi maskën dhe zbuloi se motivi i vërtetë i kundërshtimit të ligjit të lustracionit ka qenë mbrojtja e juristëve të inkriminuar të diktaturës komuniste, në mënyrë që ata të kenë në dorë çelësat e drejtësisë shqiptare. Madje jo vetëm të drejtësisë, se në rastin e Gjykatës Kushtetuese kemi të bëjmë me një gjykatë që ka marrë atributet e dhomës së lartë të parlamentit shqiptar, pra të Senatit, duke qenë se që kur ka ardhur PD në pushtet, ka rrëzuar më shumë ligje
se ç’ bën Senati në SHBA-të kur kontrollohet nga një parti e ndryshme nga ajo së cilës i përket presidenti dhe Dhoma e Përfaqësuesve. 
A nuk duhet që media të ketë të drejtë t’ ia bëjë këto pyetje ambasadorit amerikan? Kështu, duhej, por ai ishte kujdesur që takimi të bëhej në një mjedis dhe me njerëz që as nuk u shkonte ndërmend të ngrinin këto pyetje. Takimi ishte thirrur nga instituti i drejtuar nga Remzi Lani, i cili ka qenë dëshmitar i gjyqeve politike të kohës së diktaturës komuniste, kur ka futur në bur mësuesin e vet në Lezhë, i cili e ka denoncuar publikisht. E kujt do t’ i shkonte ndërmend që të bënte pyetje të tilla në takim? Sigurisht jo Lorenc Vangjelit dhe Skënder Minxhozit, të cilit mezi po prisnin sa të mbaronte takimi që të shkonin e të shëtisnin qenin e Ramiz Alisë, bashkë me këtë të fundit. Se Lorenci dhe Skënderi i kanë zyrat e revistës pranë shtëpisë së Ramiz Alisë, dhe rrinë gjithë kohën në kafene me të, ose shëtisin me të dhe qenin e tij, të cilin ai shpesh ua beson dhe atyre të dyve, çka
tregon se i sheh si kuadro të besueshme. As analisti flokëgjatë Andrea Sahani nuk kishte ndërmend të bënte pyetje të tillë. Ai gjatë takimit mbante shënime me aq zell sa, sa doli nga fletët që kishte përpara dhe shkruajti edhe në mëngën e këmishës së bardhë të Mero Bazes. Nuk kishte faj, se të nesërmen do të bënte një artikull ku t’ i bënte jehonë fjalës së ambasadorit.
Ambasadori amerikan kishte në krah Prokuroren e Përgjithshme së cilës ju drejtua që në hapje të takimit me fjalët “Madame Prosecutor General”, sipas stilit amerikan, që do të thotë “Zonja Prokuror i Përgjithshëm”. E të mendosh që ambasadori ka folur shumë edhe për barazinë gjinore! A nuk mund të thonë këta amerikanët më në fund Zonja Prokurore e Përgjithshme? Por nuk është këtu problemi kryesor. Dalja e “Madame Prosecutor General”, në krah të ambasadorit amerikan në një takim të tillë, është prova më e mirë se shqetësimi i ambasadorit amerikan nuk është aspak shteti ligjor në Shqipëri. Nëse ambasadori amerikan ishte i interesuar për shtetin ligjor në Shqipëri, duhej që ai të respektonte marrëveshjet ndërkombëtare për marrëdhëniet diplomatike dhe t’ i përcillte shqetësimet e tij në linjë institucionale, madje me shkrim që të mbeten dokumente. Se kështu siç e ka bërë
traditë diplomacia amerikane, që ambasadorët flasin në shkallët e hoteleve, në dyert e sallave të koncerteve, apo takime OJF-sh, siç ishte rasti, ka humbur krejt sensi i seriozitetit të përfaqësisë diplomatike, e cila ka dhe një solemnitet dhe formalitet në ushtrimin e atributeve të saj.   
Ambasadori amerikan kishte në krah edhe nënkryetarin e KLD, Kreshnik Spahiu, të cilit iu drejtua thjesht si “Zoti Spahiu”, çka e bëri këtë të rrudhej pak, se nuk u trajtua si Ina Rama. E pra, duke konsideruar se takimi ishte thirrur për të mbrojtur gjykatësin e diktaturës Vangjel Kosta, Kreshniku meritonte pak më tepër respekt se atë e bërë jurist vetë Sulo Gradeci, shefi i rojeve të Enver Hoxhës, dhe pas vdekjes së këtij, i familjes së tij. Po kjo histori do të tregohet gjerë e gjatë nëse Kreshniku vazhdon të intrigojë për të mbështetur mikun e vet, Erion Veliaj, në procese gjyqësore politike. 
Ambasadori amerikan nuk na bind dot se vendi që ai përfaqëson ka interes për shtetin ligjor në Shqipëri, se pikërisht këto ditë, në vendin e origjinës së ambasadorit, në Xhamajkë po provohet se zhvillimi i shtetit ligjor në botë nuk është në interesin amerikan. Në Xhamajkë po bëhet një luftë e vërtetë civile për shkak se SHBA-të kërkuan dhe siguruan miratimin e autoriteteve xhamajkiane për ekstradimin në SHBA-të, të bosit (apo mos duhet thënë në mënyrë figurative Sekretarit të Departamentit) të drogës, Michael Christopher Coke, i cili sipas Prokurorit të Përgjithshëm të New York, kishte krijuar një rrjet droge në New York që në 1994. E megjithatë vetëm në gusht 2009, pas 15 vitesh amerikanët u kujtuan që të nxjerrin një urdhër arresti për Dudus-in, siç quhet ai. Kjo gjë nuk koinçidoi kot me kulmimin e krizës financiare në SHBA-të. Ndër klientët e mëdhenj e fondeve amerikane të
investimeve dhe bankave, të cilat falimentuan gjatë krizës, qenë edhe bosët narkotrafikantë, të cilët më pas filluan t’ i tërheqin me ngut paratë e tyre nga fondet e investimeve dhe bankat amerikane që vepronin në të famshmet “off-shores”, në ishujt e Karibbeve. Amerikanët u egërsuan me Dudus-in se ai i këshilloi dhe kolegët bosë narkotrafikantë që t’ i tërheqin paratë nga fondet dhe bankat amerikane. Atëherë amerikanët u kujtuan se Dudusi ishte narkotrafikant, gjë të cilën sigurisht që e dinin shumë kohë më parë!


Gazeta Sot
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek
Nursing Schools in Georgia, Big Brother Albania 6, PDF Search Engine, Tirana Hotels Oroskopos