Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët mesditën e sotme, kreu i
socialistëve ka rikonfirmuar vullnetin se opozita është e gatshme të
bashkëpunojë për zgjidhjen e krizës në vend, duke i hapur rrugë
transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.
“Ne jemi gati të merremi vesh për të mirën e vendit, për
transparencën që vendit i duhet për të parë qartë rrugën që ka përpara,
për liberalizimin e vizave që në asnjë mënyrë s’duhet të pengohet nga
kutitë e mbyllura, për drejtësinë e ekonominë që kërkojnë një qasje të
re të cilën ne jemi gati të kontribuojmë për ta realizuar”, theksoi
kryesocialisti.
Rama i bëri thirrje edhe njëherë Sali Berisha të
pranojë krizën dhe të ulet në tryezë për të gjetur zgjidhjen e ngërçit
që ka mbërthyer vendin prej 11 muajsh.
“Unë e ftoj përsëri Sali
Berishën të dëgjojë zërin e arsyes dhe të heqë dorë sa s’është vonë nga
arsyeja e forcës. Ta pranojë krizën dhe të ulet për ta zgjidhur atë”,
vazhdoi më tej kreu i opozitës.
Lideri socialist u ndal edhe tek
kriza ekonomike, duke i kujtuar Berishës se prej saj nuk mund te dilet
duke inauguruar për të disatën herë rrugë dhe shkolla, me shifra të
gënjeshtërta ekonomike apo me vendosje gjobash ndaj bizneseve.
“Nuk
zgjidhet kriza e ekonomisë duke bredhur me gërshërë për të inauguruar
për të pestën herë punë publike që rëndom s’janë as në gjysmë të rrugës
apo shkolla që kanë deri edhe vite që janë mbyllur si kantiere”, u
shpreh Rama.
Më poshtë
bashkëbisedimi i plotë i Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama me
gazetarët:
Si çdo të premte jemi në këtë tryezë bashkëbisedimi. Më lejoni që më
parë të bëjë një paraqitje të saj që në këndvështrimin tim është pamja e
këtyre ditëve dhe të shpreh shqetësimin tim.
Jemi përditë e më të
shqetësuar për humbjen e dukshme të logjikës në qeverisjen e vendit.
Vendi
zhytet përditë e më thellë në një krizë qeverisëse. Ekonomia e vendit
vuan përditë e më ndjeshëm pasojat e kësaj krize. Receta e zgjedhur për
krizën e demokracisë, të drejtësisë e të ekonomisë është, në të treja
aspektet, më e keqja për vendin.
Nuk zgjidhet kriza e demokracisë
duke mohuar se ajo ekziston. Nuk zgjidhet kriza e drejtësisë duke
përshkallëzuar luftën politike kundër pavarësisë e profesionalizmit të
sistemit gjyqësor. Nuk zgjidhet kriza e ekonomisë duke bredhur me
gërshërë për të inauguruar për të pestën herë punë publike që rëndom
s’janë as në gjysmë të rrugës apo shkolla që kanë deri edhe vite që janë
mbyllur si kantiere. Nuk zgjidhet kriza e ekonomisë as me shifra e të
dhëna të gënjeshtërta për të treguar me fjalime një rritje e mirëqenie
ekonomike që ekziston vetëm në oborrin e pushtetit, po nuk ka lidhje me
realitetin e shtëpive të shqiptarëve.
Kriza e ekonomisë nuk
zgjidhet as duke kërdisur në gjoba të paligjshme, deri edhe mafioze,
sipërmarrjen. Nuk zgjidhet kriza e ekonomisë as duke u mbytur në borxhe
me interesa të rënda për të gjithë, në emër të interesave të pushtetit
të disave, sepse në këto kushte edhe borxhet bëhen shumë të vështira për
t’u marrë më tutje.
Nuk zgjidhet kriza e ekonomisë as me shpifje e
sharje për opozitën që nuk e shihka dot mrekullinë ekonomike, sepse të
paktën klima për biznesin kështu nuk përmirësohet po vetëm përkeqësohet.
Kriza
e ekonomisë nuk zgjidhet as edhe me krahasimet e turpshme e tallëse me
botën që sipas kryeministrit tonë qenka e gjitha në hall, ndërkohë që i
vetmi vend ku halli i krizës s’paska rënë qenka Shqipëria e Saliut,
Ridvanit dhe Fullanit.
Të tretit i bëj apel të mos bëhet mashë e
dy të parëve për të nxjerrë nga zjarri i krizës gështenjat e djegura të
politikës së verbër ekonomike të kryeministrit, që as di, as pyet, as
kupton kur e këshillojnë të heqë dorë nga kjo rrugë shkatërruese.
Të
dytit i bëj apel të mos bëhet njësh me të parin si në kohën e
piramidave, duke ngritur një piramidë të një lloji tjetër, por me pasoja
të pallogaritshme për të nesërmen e ekonomisë së vendit.
Kurse
të parit të tyre, zotit kryeministër, i bëj apel të ndalet në
turravrapin e tij drejt greminës, dhe të kuptojë më në fund se nuk ka
asnjë gjasë ta kapërcejë krizën e gjithanshme me këto receta dërrmuese
për vendin, por edhe turpëruese për atë vetë dhe qeverinë e tij.
Unë
e ftoj përsëri Sali Berishën të dëgjojë zërin e arsyes dhe të heqë dorë
sa s’është vonë nga arsyeja e forcës. Ta pranojë krizën dhe të ulet për
ta zgjidhur atë. Duke filluar nga transparenca, pa të cilën nuk ka
asnjë rrugëdalje të mundshme e asnjë rrugë të qëndrueshme në trajtimin e
krizës së demokracisë, të drejtësisë e të ekonomisë.
Ne jemi
gati të merremi vesh për të mirën e vendit, për transparencën që vendit i
duhet për të parë qartë rrugën që ka përpara, për liberalizimin e
vizave që në asnjë mënyrë s’duhet të pengohet nga kutitë e mbyllura, për
drejtësinë e ekonominë që kërkojnë një qasje të re të cilën ne jemi
gati të kontribuojmë për ta realizuar. Për demokracinë që s’mund të jetë
sistemi ku disa janë mbi ligjin e për të tjerët barazia para ligjit
është e pamundur.
Pyetjet
Ndodhemi në një situatë ku
duket se ndërkombëtarët janë lodhur, pas vënies së nja afati dy javor,
për zgjidhjen e krizës politike mes dy palëve. Tashmë kemi një
paralajmërim të ri, një kërcënim le të themi. Ju si e shikoni këtë
paralajmërim të ndërkombëtarëve?
S’ka asgjë të re, është
diçka që unë e kam thënë. Ne e kemi thënë në mënyrë të qartë dhe
transparente, që ka një afat dhe përtej atij afati duhet të ketë një
zgjidhje për të mos patur pasoja për vendin.
Megjithatë
deklarata e grupeve parlamentare në Strasburg, dje ka folur për një
marrëveshje që do t’ju vihet në tavolinë ju dhe Partisë Demokratike. A
jeni i gatshëm ta pranoni këtë marrëveshje apriori, pavarësisht se çfarë
mund të përmbajë ajo, duke qenë se vjen nga ndërkombëtarët që negociuan
këtë krizë?
Unë nuk dua të bëjë asnjë koment konkret
dhe të drejtpërdrejt për asnjë deklaratë. Unë dua vetëm të rikonfirmoj
vullnetin tonë për një kompromis që i hap rrugën transparencës.
Në
fakt grupi parlamentar i PS, një ditë më parë ka kushtëzuar votën për
ligje të rëndësishme që kërkojnë 84 vota, me zgjidhjen e krizës
politike në vend. Do të jetë ky qëndrim i PS dhe a lidhet në fakt ky
kushtëzim edhe me pjesë të brendshme të këtyre projektligjeve, i
referohem këtu Gjykatës Administrative, ku një ditë më parë z. Ruçi e
cilësoi si një institucion politik, me draftin që maxhoranca po paraqet?
Z.
Ruçi flet në emër të grupit parlamentar. Grupi parlamentar flet në emër
të partisë dhe unë rikonfirmoj gjithçka që është thënë.
A
keni njohuri ju për draftin që do t’ju sjell PE, përderisa ishit në
djeni të një afati?
Marrëveshja e cila është e
domosdoshme për të kapërcyer krizën, është një marrëveshje që mund të
ngrihet mbi një draft të miratuar bashkarisht mes palëve këtu në vend
dhe padyshim falë kontributit dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të palës
së tretë, miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Thanë
që do t’jua komunikonin draftin me një telefonatë, e keni marrë
telefonatën apo po prisni?
Nuk bëj asnjë koment siç e
kam thënë qysh në krye të herës. Ka gjëra që kanë të bëjnë me etikën e
negocimit dhe pjesë e kësaj etike është, moskomentimi i çka ndodh në
procesin e negocimit, që është një proces që ndiqet nga shumë afër nga
miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë .
Z. Rama, mund të
na thoni të paktën nëse mbetet opsioni, aty ku ndodhet edhe ngërçi i
fletëve të votimit, pra do të shkojnë fletët e votimit në Komisionin e
Venecias sipas këtij drafti?
Edhe njëherë tjetër, nuk
bëj asnjë koment lidhur me procesin e negocimit, por rikonfirmoj që ne
jemi të gatshëm për kompromis dhe kompromis ynë është hapja rrugë e
transparencës.
Ju thatë që drafti duhet të jetë i
artikuluar nga të dyja palët dhe më mbështetjen e ndërkombëtarëve. Mos
do të thotë kjo që ende nuk kemi një draft?
Të gjitha
komentet i bëni ju. Unë konfirmoj dhe riafirmoj vullnetin tonë për një
zgjidhje, e cila ti hapë rrugë transparencës dhe njëkohësisht për një
marrëveshje të negociuar, e cila të krijojë kushtet që Shqipëria të
ristartojë në rrugën e liberalizmit të vizave dhe të integrimit dhe pa
cenuar për shkak të konfliktit, që e ka burimin tek kutitë e mbyllura. E
njëkohësisht Shqipërisë ti japim mundësinë të marrë frymë më lirisht
përmes një procesi, ku ne jemi të gatshëm të kontribuojmë, në funksion
të trajtimit të drejtë të krizave të demokracisë, të drejtësisë dhe të
ekonomisë.
Z. Rama sa të mundshme e shihni zgjidhjen e
krizës, duke parë zhvillimet më të fundit të kampit kundërshtar, kur
jemi kthyer si duket në pikën fillestare të mosnjohjes së krizës, siç
kemi dëgjuar edhe dje në parlament, që nuk ka një krizë në vend?
Kjo
është një përgjegjësi e ndarë, ne kemi pjesën tonë të përgjegjësisë,
për të cilën jemi të gatshëm të marrim përsipër çdo detyrim që buron
prej saj. Pala tjetër ka pjesën e saj të përgjegjësisë, e cila është
edhe më e madhe për faktin se pala tjetër qeveris vendin, pavarësisht se
me vota të vjedhura. Dhe në funksion të detyrimeve që burojnë nga ajo
përgjegjësi, i takon asaj të zgjedhë qasjen ndaj problemeve të vendit
dhe ndaj kësaj krize që thellohet përditë, duke cenuar përditë
drejtpërdrejtë shqiptarët në ekonominë e tyre.
Dje
parlamenti ka miratuar kalendarin tre javor, ku ka përfshirë ndërmjet të
tjerave edhe miratimin në ndryshimin e rregullores dhe dekretet e
presidentit për Gjykatën e Lartë. Cili do të jetë qëndrimi i PS, të
paktën për rregulloren e keni bërë të qartë. Po për dekretet e
presidentit?
Është thellim i krizës me vullnetin,
verbërinë, shurdhërinë dhe duart, e kësaj shumice qeverisëse, që jo
vetëm nuk është shumicë në popull, por vepron përditë kundër interesave
të shumicës dërrmuese të qytetarëve dhe qytetareve të këtij vendi.
Z.
Rama, a ka kohë 1 muaj e gjysmë për të bërë hetimin e zgjedhjeve të 28
qershorit, sepse në fund të korrikut mbyllet sesioni parlamentit?
Zgjedhjet
nuk kanë lidhje me kampionatin botërore dhe as hetimi i tyre nuk ka
afatet e kampionatit botëror.
Domethënë do të vazhdojë
edhe në shtator, në sesionin tjetër?
Aq sa është e
nevojshme.
| Tiranë | 18 | °C | |
| Prishtinë | 19 | °C | |
| Ulqin | 19 | °C | |
| Shkup | 19 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.52 | 142.14 |
| USD | 106.95 | 111.35 |
| GPB | 168.71 | 175.65 |
| CHF | 113.60 | 118.27 |