Partia Socialiste në deklaratën e sotme për shtyp, nëpërmjet
deputetes Olta Xhaçka, ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me
bilancin tragjik të humbjeve të jetës në rrugët e Shqipërisë,
pavarësisht gjobave dhe shtimit të efektivave të policisë. Deputetja
Xhaçka i ka bërë thirrje Ministrit të Brendshëm Basha që ti lërë
retorikat boshe por të dal në terren për të analizuar e mbikëqyrur masat
që po merren për të kufizuar bilancin tragjik në rrugë, për të kursyer
humbjen e jetëve të bashkëqytetarëve tanë e për të mos ia nxirë vendit
imazhin siç kemi bërë deri më sot.
Më poshtë deklarata
e plotë e deputetes, Olta Xhaçka:
Siguria është kthyer në një
shqetësim madhor për të gjithë qytetarët ne këto ditë te nxehta gushti,
ndërsa shohim mungesë reagimi dhe profesionalizmi nga Ministria e Punëve
të Brendshme dhe Rendit Publik.
Sipas të dhënave që u
prezantuan në analizën mujore të muajit Korrik nga Policia e Shtetit, ky
muaj rezulton me një bilanc tragjik në rrugët e Shqipërisë, ku kanë
humbur jetën 51 persona. Po sipas të dhënave të Policisë së Shtetit,
muaji Korrik ka patur 151 aksidente, shumica tepër të rëndë. Nga këto të
dhëna rezulton se një çdo tre aksidente në Shqipëri rezulton me humbje
jete apo plagosje të rëndë. Ky bilanc mbetet tragjik pavarësisht numrit
të gjobave apo efektivave në detyrë. Një bilanc i humbjes se jetës në
rrugët e vendit qe i përngjan një bilanci lufte.
Partia
Socialiste shpreh shqetësim për këto të dhëna e për masat e munguara nga
ana e Ministrisë së Rendit. Ministria e Rendit Publik dhe Policia e
Shtetit duhet të lëvizin menjëherë të sigurojnë jetën e shqiptarëve, në
rrugë, në punë e kudo, duke marrë masa efektive sipas shembujve të të
gjithë vendeve të zhvilluara.
Nuk është hera e parë që Shqipëria
përballet me një bilanc të tillë tragjik gjatë sezonit veror, megjithatë
si çdo vit tjetër ka një mungesë të theksuar masash për të parandaluar
aksidentet e humbjen e jetës. Theksojmë edhe njëherë se shtimi i
efektivave të policisë në rrugët e vendit është vetëm një nga masat që
duheshin ndërmarrë. Masa të tjera si përmirësimi i sinjalistikës
rrugore, sidomos natën, riparimi i rrugëve që rezultojnë problematike,
në shumë raste pranë lokaliteteve të pushimeve, e mbi të gjitha
përgatitja e një plan veprimi gjatë sezonit veror janë tërësisht të
munguara. Ky është një tjetër dështim i pushtetit të Sali Berishës i
cili po ju kushton tepër shtrenjtë shqiptarëve. Nëse turizmi është
prioritet i shtetit, atëherë masat duhet të ishin marrë kohë më parë.
Dështimi i qeverisë po kushton jetë po aq sa lufta.
Nga ana
tjetër është një përgjegjësi kritike e Ministrisë së Brendshme e
drejtuesit të saj Z. Lulzim Basha jo vetëm të reagojnë me retorikë, por
të përgatiten e të veprojnë në terren. Ndaj i bëjmë thirrje Z. Basha të
dalë menjëherë në terren për të analizuar e mbikëqyrur masat që po
merren për të kufizuar bilancin tragjik në rrugë, për të kursyer humbjen
e jetëve të bashkëqytetarëve tanë e për të mos ia nxirë vendit imazhin
siç kemi bërë deri më sot.
Gjithashtu, duam t'i bëjmë thirrje
policisë së shtetit të vihet menjëherë në lëvizje për të zbardhur
incidentin e pardjeshëm, ku sipas mediave të ndryshme raportohet se disa
punonjës të policisë së shtetit kanë dhunuar katër qytetarë duke ju
kanosur me armë. Këto veprime dëmtojnë imazhin e policisë dhe të shtetit
shqiptar. Policia e shtetit është një institucion i cili ka detyrën t'i
mbrojë qytetarët e jo t'i dhunojë ata. Partia Socialiste, si të gjithë
shqiptarët pret të shohë menjëherë masat që Ministri i Brendshëm do të
ndërmarrë për t’u përballur me këto situata
ShtypiDites