Basha: Para ligjit bllokuesit e rrugėve dhe frymėzuesit e tyre

Basha: Para ligjit bllokuesit e rrugėve dhe frymėzuesit e tyre

Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha u shprehu mbështetjen e plotë strukturave të Policisë së Qarkut të Vlorës për realizimin e detyrave të tyre për garantimin e rendit e sigurisë publike dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.

Ministri Basha udhëzoi në mënyrë të veçantë drejtuesit e strukturave policore të Vlorës për bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të marrë të gjitha masat për parandalimin e bllokimit të paligjshëm të rrugëve dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës që kryejnë një veprimtari të tillë.

-Ju duhet të merrni të gjitha masat që në çdo rast të ndërhyhet me forcën e ligjit dhe përgjegjësit të vihen para ligjit. Nuk mund dhe nuk do të tolerohet asnjë bllokim rruge publike. Nuk mund dhe nuk do të tolerohet asnjë person i cili merr pjesë, apo tenton të marrë pjesë në një veprimtari të tillë. Të vendoset një bashkëpunim sa më i ngushtë me prokuroritë e rretheve në mënyrë që çdo person i referuar nga ju të ndiqet penalisht deri në vendosjen e tij para drejtësisë dhe marrjen e dënimit që meriton. Policia e Shtetit ka të gjitha mjetet, ka të gjithë përvojën dhe duhet të ketë të gjithë vendosmërinë për të zhbllokuar çdo situatë të tillë. Kushdo që guxon të instrumentalizojë ngjarje kriminale dhe t'i përdorë ato për të justifikuar një veprimtari thellësisht antiligjore siç është bllokimi i rrugëve do të marrë përgjigje të merituar, të menjëhershme dhe me fuqinë e plotë të ligjit. Sikundër strukturat antiterror ta trajtojnë këtë çështje me prioritet si dhe të godasin pa pikë hezitimi për të parandaluar, apo në rastet kur ka ndodhur për të vendosur para drejtësisë personat përgjegjës duke përfshirë këtu edhe personat frymëzues pavarësisht pozitës së tyre shoqërore apo politike".

Në analizën e punës dhe arritjeve të deritanishme të strukturave policore të Qarkut Vlorë, Ministri Basha vlerësoi si tregues të suksesit statistikat e dyfishuara për këtë vit të luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

-Kam një vlerësim të veçantë për dyfishimin e statistikave përsa i përket luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Është një tregues i mirë se si lufta kundër korrupsionit mund të shtrihet përtej Tiranës në çdo qark. Natyrisht rezultatet e arritura duhet të shërbejnë si inkurajim për të vazhduar edhe më tej në këtë rrugë duke dëshmuar në këtë mënyrë vullnetin e hekurt të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme për të zbatuar politikën e zero tolerancës të qeverisë Berisha në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Ministri Basha vlerësoi gjithashtu edhe arritjet në luftën për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike e po kështu zbatimin e detyrave të paracaktuara për mbarëvajtjen e sezonit turistik ku përfshihen masat për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe për reduktimin e zhurmave nga lokalet gjatë natës.

Gjatë inspektimit që zhvilloi në Pikën e Kalimit Kufitar në Portin e Vlorës, Ministri Basha  duke kërkuar bashkëpunimin mes të gjitha agjencive shtetërore që veprojnë në port, deklaroi se edhe këtu si në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit praktikohen standarte të përshtatura me standartet Schengen.
-Mendoj që masat në këtë port janë në përputhje me standartet më të mira të policisë kufitare shqiptare të cilat janë të përshtatura me standartet Schengen dhe shpresoj që ky është shembulli i mirë i bashkëpunimit i cili vërehet edhe në Durrës edhe kudo tjetër të lehtësojë maksimalisht fluksin e pushuesve në hyrje po dhe në dalje për të dhënë atë shijen e fundit të mirë pas një periudhe pushimi në Shqipëri dhe për t'i nxitur ata për t'u kthyer sa më shpejt,-deklaroi Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek
Nursing Schools in Georgia, Big Brother Albania 6, PDF Search Engine, Tirana Hotels Oroskopos