Pritje nėPallatin e Brigadave pėr Nėnė Terezėn

Pritje nėPallatin e Brigadave pėr Nėnė Terezėn

Nën kujdesin e Kryeministrit Berisha u organizua mbrëmë, në Pallatin e Brigadave, një pritje me rastin e 100 vjetorit të Lindjes së Nënë Terezës. Merrnin pjesë në këtë ceremoni Kryetarja e parlamentit, Zonja Jozefina Topalli, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Ilir Meta, ministra të kabinetit, deputetë, klerikë, drejtues të komuniteteve fetare të vendit, ambasadorë, përfaqësues të mediave, etj.

Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, kryeministri Berisha u shpreh:

“E nderuar Zonja Kryetare e Parlamentit,

Zoti Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm Meta,

Zotërinj ministra,

Të nderuar Klerikë,

Udhëheqës të komuniteteve fetare të vendit

Shkëlqesi Ambasadorë,

Miq e të ftuar

Jemi mbledhur sot, për të nderuar së bashku me të gjithë shqiptarët, por dhe mbarë njerëzimin, gruan më të shquar, të kohërave moderne, nderin e kombit shqiptar, Nobelisten Nënë Tereza në 100 vjetorin e lindjes së saj.

Sot, shqiptarët kudo që janë, përkulen me nderimin dhe mirënjohjen, më të thellë, ndaj bijës së tyre më të madhe, më të famshme, simbolit më të përsosur, të moralit dhe të emrit shqiptar, Nenë Tereza.

Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhi lindi 100 vjet më parë në Shkup, në qytetin më të madh të trojeve shqiptare, të asaj kohe. U rrit dhe u edukua në familjen e saj, me vlerat, virtytet më të arrira të vajzës, gruas dhe nënës shqiptare, vlera dhe virtyte me forcën e të cilave ajo do të ngjiste madhërishëm shkallët e Shenjtërimit për së gjalli, do shndërrohej në engjëllin e më të varfërve të kësaj bote, do të meritonte admirimin dhe adhurimin, respektin e mbarë qytetarëve të planetit.    

E larguar në moshën më të hershme nga trojet shqiptare, me gjak jam shqiptare, - do të pohonte ajo, në cdo rast, për të dëshmuar dashurinë por dhe krenarinë për familjen, kombin dhe origjinën e saj. Asgjë nuk do t’a lëkundte dashurinë për dheun e saj, edhe në kohërat, kur ajo nuk lejohej ta vizitonte të ç’mallej me nënën, motrën dhe vendin e saj.

Zonja dhe zotërinj,

Vërtetë në vlerat dhe virtytet e nënës, motrës, gruas shqiptare, me besimin e madh tek Zoti dhe Krishti me të cilat u mbrujt u bënë forcë mahnitëse e pashtershme morale e saj, por do të ishte India, ky vend i madh, qytetare e së cilës do të thoshte se jam tani, do të ishte  Kalkuta, ky megapol i dhimbjes, vuajtjes, lëngimit dhe mjerimit njerëzor, do të ishin  të sëmurët, leprozët, hemiplagjikët, të sëmurët me AIDS, jetimët, të braktisurit e saj, qyteti dhe vendi ku gonxhja e kombit tone, do të lulëzonte, do të lartësohej në Nënë Terezën, në fakt në Nënë Terezën e Kalkutës, në personalitetin moral më të fuqishëm të kohës së vet. Në Kalkutë themeloi Urdhërin e misionareve të bamirësisë apo më drejtë misionareve të dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore.

Për më shumë se gjysmë shekulli, Shtëpitë e Urdhërit të saj u ngritën në mbi 130 vende. Trajtuan, kuruan, u kujdesën për miliona qytetarë në nevojë. Mjerisht Shqipëria ishte ndër më të fundit vende, në të cilin ajo ngriti Shtëpitë e Urdhërit të saj, kjo sepse diktatura paranojake hoxhiste, kishte ndaluar me ligj dhe kushtetutë besimet fetare, Krishtin, Muhametin, por së bashku me to edhe shenjtoren e gjallë të shqiptareve, kurse nënës dhe motrës saj i rezervoi mjerimin më të skajshëm.   

Sot në këtë fjalë, do të doja t’i paraqisja Nënë Terezës ndjesën publike për qëndrimin që diktatura hoxhiste mbajti ndaj saj dhe familjes. Por unë nuk e bëj këtë për arsyen e vetme sepse në një nga takimet e mia në vitin 1992, kur unë desha të marr miratimin e saj për këtë akt publik, ajo m’u përgjigj : -Jo nuk do t’a bësh këtë,  ndjesa publike do të ishte për mua një lëndim I vërtetë, pasi unë kurrë nuk jam zëmëruar dhe nuk mund të zemërohem asnjëherë me vendin dhe kombin tim. Unë çdo ditë, me dashuri të madhei jam lutur Zotit dhe lutem për ta, njësoj siç jam lutur dhe lutem për nënën, motrën dhe familjen time.

Ajo ndjehej shumë e lumtur që më së fundi vendi i saj ishte i lirë dhe kishte hapur Shtëpitë e Misionit të saj në Shqipëri, që mbarte më së fundi pasaportën shqiptare. Emocionet, gëzimi dhe kënaqësia e saj ishin të jashtëzakonshme, të papërshkruara ditën që priti sëbashku me Presidentin e vendit me 25 prill të vitit 1993 në dheun e vet, Papa Gjon Palin e dytë, në vizitën e tij historike në Shqipëri. Ajo u lumturua shumë kur Ati I Shenjtë do t’i drejtohej në fjalën e tij nga ballkoni i Ipeshkvisë  së Shkodrës si Nënë Tereza, bija e kombit shqiptar.  

Bamirësia, humanizmi dashuria, dhembshuria dhe jo politika ishin mbretëria e saj. Por në këtë aspekt, shqiptarët duhet ta dinë se Shqipëria ishte përjashtimi i saj. Ajo ndiqte me shumë vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Në korrik të vitit 1995 do të udhëtonte nga Kalkuta në Tiranë dhe do të vinte direkt nga Rinasi në zyrën time. Kam ardhur kësaj here për të uruar për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Jam jashtëzakonisht e gëzuar. Iu përgjigja se ky urim I gëzon të gjithë shqiptarët.

Zonja dhe zotërinj,

Nga thirrja jam murgeshë katolike, vepra ime I përket të tërë botës- do të deklaronte në mënyrë të përsëritur Nënë Tereza. Prandaj sot me nderim të madh në 100 vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare përkulen qytetarët e të gjithë kombeve tjerë pavarësisht nga besimet fetare, rracat apo bindjet. Kjo sepse në një jetë të tërë, Nënë Tereza me besimin e saj tek Zoti, tek Krishti të cilin e shihte te çdo njeri me përkushtimin, forcën e madhe të dashurisë, u shndërrua në autoritetin moral më të fuqishëm të shekullit që jetoi.

Me shtatin e saj të vogël, zemrën dhe shpirtin e saj të madh, gruaja që zgjodhi për të mos u bërë nënë me fëmijë të vetë, ia doli që me forcën e dashurisë dhe dhembshurisë së nënës, të bëhet nënë për mbarë njerëzimin. Ajo si Hyjni e dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore arriti që me forcën e tyre të bëhet përfaqësuesja engjëllore e njeriut, e qytetarit, e familjes e shoqërisë, e kishës e mjekësisë, por mbi të gjitha e Krishtit dhe e Zotit që e dërguan atë aty ku ishte dhimbja, vuajtja sëmundja, dëshpërimi dhe mjerimi më i madh, aty ku të gjithë të tjerët familja, shoqëria, mjekësia, kisha, institucione të tjera fetare, qeveria, shoqëria civile mungonin.

Të ndihmosh dhe të kuptosh të varfrit duhet të jetosh si ata – deklaroi në fjalën e saj në ceremoninë e laurimit me cmimin Nobel.

Nënë Tereza dhe motrat e Urdhërit të saj, një jetë të tërë  zgjodhën të shërbejnë, ushqejnë, të ndihmojnë, të mjekojnë, të lehtësojnë të përkëdhelin, të mbjellin shpresë qenieve njerëzore më të varfëra, më të mjera, më të sëmura, më të braktisura të kësaj bote, të braktisura në mënyrë të pamerituar.

Ata me të cilët unë punoj nuk duan lot se kanë shumë vetë, ata duan buzëqeshje,- do t’i shprehej një ditë një adhurueseje të saj, që shkrehu në vaj tek vizitonte komunitetin për të cilin kujdeseshin motrat e Nënë Terezës, në Kalkuta.

Çdo njeri që ka patur fatin të njohë nga afër, mban në memorien e tij buzëqeshjen e saj, si më të ëmblën e të gjitha buzëqeshjeve njerëzore, që ka hasur në jetën e tij.    

Zonja dhe zotërinj,

Për së gjalli Nënë Tereza meritoi dhe mori Urdhërat medaljet më të larta, në këtë botë. Ajo u laurua me cmim Nobel, me medalien e lirisë nga Presidenti Ronald Regan u shpall qytetare e SHBA-së nga kongresi Amerikan duke u bërë personi i 4-t në historinë e këtij vendi të madh që meritoi këtë titull. 

India i akordoi qytetares së saj nderimet dhe dekoratat më të larta, po kështu dhe vende të tjera. Shqipëria e shpalli Nderi I kombit, Vatikani medalien e Paqes, Kembrixhi dhe Universitete të tjera e shpallën Dr.Honoris Kauza për veprat e saj të shumta, teologjike hymne të vërteta të dashurisë dhe dhëmbshurisë njerëzore, skulptorë dhe piktorë, shkrimtarë e muzikantë i kushtuan krijime të shkëlqyera të gjinive ku lëvronin.

Por nderimin më të madh ia bëri Nënë terezës, Papa Gjon Pali i Dytë, Papa i lirisë, mik i madh i kombit shqiptar që vetëm pak kohë para vdekjes hapi procedurën e shenjtërimit dhe rrugëtimit të saj drejt përjetësisë.

Ndaj dhe është një rast për mua për të uruar që së bashku të gjejnë shenjtërinë dhe të bashkohen me shenjtorët e tjerë të këtij kombi.

Duke mbyllur fjalën time le të shprehim edhe një herë mirënjohjen tonë më të thellë bijës më të shquar të kombit tone, dhuratës më të cmuar që kombi shqiptar I ka bërë njerëzimit në të gjitha kohërat .


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek
Nursing Schools in Georgia, Big Brother Albania 6, PDF Search Engine, Tirana Hotels Oroskopos