Topi: Kina mund te luaj rol kostruktiv ne njohjet e reja te Kosoves

Topi: Kina mund te luaj rol kostruktiv ne njohjet e reja te Kosoves

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot paradite një delegacion të Partisë Komuniste të Kinës, të kryesuar nga zoti Liu Janshan, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës. Në takim ishin të pranishëm edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri dhe Ambasadori i R.P.K në Tiranë, zoti Uang Junling.

Presidenti Topi pasi u uroi mirëseardhjen miqve kineze, vuri në dukje dhe nënvizoi marrëdhëniet miqësore dhe shumë të mira dypalëshe në të gjitha fushat që kanë karakterizuar tradicionalisht lidhjet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës. Kreu i shtetit shqiptar shprehu vlerësimin dhe vullnetin e Shqipërisë për t’i forcuar dhe zgjeruar edhe më tej këto marrëdhënie në të ardhmen në fushat e turizmit, kulturës, mjekësisë, informimit dhe të medias, dhe veçanërisht në fushën ekonomike, ku Kina prej disa dekadash po shënon një rritje të vazhdueshme e të lavdërueshme duke u shndërruar në një nga vendet ekonomike më të fuqishme të botës.

Nga ana e tij zoti Liu Janshan, pasi falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore edhe në emër të delegacionit, i përcolli Presidentit Topi përshëndetjet e ngrohta të Presidentit të Kinës Hu Xhin Tao dhe solli në vëmendje kontributin e çmuar historik të Shqipërisë për anëtarësimin e Kinës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Të dy personalitetet e larta ndanë të njëjtën pikëpamje për rëndësinë e vizitave të tilla të niveleve të larta në forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe të bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ku vizita e Presidentit Topi në Kinë gjatë muajit shtator do të jetë një shtysë e mëtejshme. Në këtë drejtim Presidenti Topi shprehu nevojën e rritjes së hartës gjeografike të njohjeve për shtetin e ri të Kosovës, ku Kina si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit mund të luajë një rol konstruktiv dhe përcaktues në të ardhmen.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek
Nursing Schools in Georgia, Big Brother Albania 6, PDF Search Engine, Tirana Hotels Oroskopos