Histori tė dhimbshme udhėtimi nė Evropė

Histori tė dhimbshme udhėtimi nė Evropė

Dorian Koçi

Në datën 8 nëntor, në një datë jo shumë simbolike përsa i përket memories historike të shqiptarëve, këshilli i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian do të japë opinionin e tij përfundimtar për liberalizimin e vizave. Ashtu siç pritet ky vendim do të pritet të jetë pozitiv duke i dhënë fund historisë së dhimbshme të udhëtimit të shqiptarëve për në Evropë . Si të gjitha historitë moderne shqiptare kjo histori  përmbante pak nga të gjitha problematikat brenda saj duke zbuluar kështu një pjesë të rëndësishme të performancës së shtetit shqiptar dhe marrëdhëniet e Evropës me të. Sigurisht që kishte në këtë histori kripë, piper por dhe sheqer apo e thënë ndryshe  poshtërim, përbuzje apo dhe  vetëkënaqësi.

Pas ndryshimeve rrënjësore që ndodhën në Evropën Lindore dhe rënies së murit të Berlinit më 1989-1990, të gjitha shtetet ish-komuniste filluan reformat për të përqafuar principet bazë të ekonomisë së tregut, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe hartimin e strategjive ushtarake të mbrojtjes kolektive dhe bashkëpunimit rajonal  nën shembujt pozitivë të B.E  dhe doktrinës së NATO-s. Ndër vendet që iu bashkëngjitën këtij procesi ishte dhe Shqipëria që shpalli si objektiva primarë aderimin në këto dy organizata të rëndësishme  dhe demokratike. Një nga parimet bazë të Bashkimit Evropian është dhe parimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve brenda hapësirave të tij, një mundësi që u afrohet të gjithë qytetarëve të  vendeve anëtare dhe qytetarëve të atyre vendeve që kalojnë nëpërmjet proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian. Nuk është nevoja këtu të zgjatemi duke numëruar vendet e tjera që e merituan përpara nesh këtë të drejtë themelore dhe esenciale për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të një vendi, por është e nevojshme të kujtojmë një detaj që tregon tërësisht papërgjegjshmërinë shtetërore të  qeverive shqiptare dhe që shumë herë u kthye në një burim poshtërimi për shumë shqiptarë në pikat doganore të Bashkimit Evropian. E kam fjalën për dokumentin bazë të identifikimit, pasaportën shqiptare, e cila në gjithë këto vite ishte një dokument i pabesueshëm për partnerët tanë evropianë për arsyen e thjeshtë sepse ishte  lehtësisht e  falsifikueshme. Paradoksialisht ashtu si shumë herë kishin treguar policitë e vendeve evropiane, këto dokumente falce ishin hartuar dhe lëshuar  nga zyrat e shtetit shqiptar. Natyrisht që këtë papërgjegjshmëri të shtetit e shqiptar për të shpërblyer një tufë militantësh që mbanin zakonisht këto poste drejtuese në polici e kanë paguar në shpinën e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë që i nënshtroheshin kontrolleve të shumta dhe poshtëruese në pothuajse të gjitha pikat doganore të Bashkimit Evropian.

I një përmase tjetër, por kësaj radhe në sens të kundërt ishte sjellja e nëpunësve të ambasadave evropiane në Tiranë. Shqiptarët duke qenë një popull emigrant (sipas të dhënave të fundit të Eurostatit , 1000000 shqiptarë banojnë në vendet e Bashkimit Evropian) shumë herë u janë drejtuar dyert e ambasadave të shteteve evropianë në Tiranë, qoftë për një vizë pune apo qoftë dhe për arsyet e thjeshta të bashkimit familjar. Numri i refuzimeve që jepnin këto përfaqësi i ka tejkaluar ndoshta rekordet për çdo vend tjetër të Ballkani Perëndimor. Shumë herë qytetarë shqiptarë edhe pse i plotësonin të gjitha kriteret e përfitimit të një vize Shengen,nuk pajiseshin me të  për arsye nga më banalet, derisa në muret e një prej ambasadave të huaja në Tiranë u afishua se ambasada ruante të drejtën të refuzonte vizën qytetarëve shqiptarë dhe të mos jepte shpjegim se përse e ndërmerrte një vendim të tillë!Pedagogë universiteti, njerëz të medies dhe figura publike kanë rënë preh e këtyre vendimeve të paarsyeshme duke mos udhëtuar në Evropë për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore ku ishin ftuar dhe duke dëshmuar me këtë përbuzje që u bëhej nga ana e ambasadave se qytetari shqiptar mund të nëpërkëmbej shumë lehtë pasi asnjë qeveri shqiptare me perfomancën e dobët të saj nuk mund të mbronte dinjitetin e tyre.

Por ajo që mund të quhej perfomancë e dobët e qeverive nuk përkthehej dhe domosdoshmërisht vuajtje për to. Në të kundërt, abusiviteti i pushtetit i treguar shpeshherë me lëshimin e pasaportave diplomatike tregonte një vetëkënaqësi provinciale të qeveritarëve dhe “fisit dhe farefisit” të tyre kryesisht në biznes, që mund të lëviznin lirisht në Evropë. Ironia qëndronte  në faktin se  kjo klasë njerëzish që këtë privilegj e konsideronin si të pazëvendësueshëm bënin shumë pak për të përmirësuar kushtet që gjithë shqiptarët të gëzonin këtë privilegj. Sinqerisht akoma nuk arrij të kuptojë se përse qeverive shqiptare iu desh 19 vjet që të prodhonin një kartë identiteti, kur dihet se shtete shumë më pak se të konsiliduara se Shqipëria gjithandej botës e kishin mbyllur prej kohësh këtë proces.

Vendimi që do të merret në datën 8 nëntor sigurisht qe do të mbyllë një nga historitë më të trishtueshme të tranzicionit shqiptar. Më në fund lëvizja e lirë do të bëhet një realitet i prekshëm për shqiptarët, por ajo natyrisht që nuk do të jetë në gjendje të shlyejë kujtesën e hidhur të rrugëtimit të qytetarëve shqiptarë për të arritur këtë të drejtë themelore të tyre. Kontakti më i shpeshtë me Evropën dhe realitetet kulturore të saj do të bëjë të mundur krijimin e kulturës së kërkesës së llogarisë ndaj atyre që qeverisin në mënyrë të tillë që qytetarët shqiptarë (të qeverisurit) të mos nëpërkëmbën më nga shteti i tyre.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek
Nursing Schools in Georgia, Big Brother Albania 6, PDF Search Engine, Tirana Hotels Oroskopos